Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018 do të fillojë sot dhe do të mbahet në ambientin e Kolegjit AAB. Panairi do të vazhdojë deri në datën 07 tetor.
Pjesë e Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018 do të jenë ngjarjet kulturore që do të organizohen gjatë kohës sa do të mbahet panairi, si: promovime librash, punëtori, orë letrare e takime me shkrimtarë.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë panair i cili do të zhvillohet në një ambient universitar, ku shumica e frekuentuesve do të jenë të rinj, është edhe transporti i siguruar falas për të gjithë vizitorët e panairit. Gjatë tërë kohës sa do të mbahet panairi, transporti nga qyteti në kampusin e AAB-së në Prishtinë dhe anasjelltas do të jetë falas, në çdo 15 minuta.
Kolegji AAB synon që Panairin Vjeshtor të Librit ta bëjë një nga panairet më të frekuentuara të librit me vizitorë të rinj të cilët janë konsumatorët më të nevojshëm të librit.
Po ashtu, gjithmonë duke iu referuar shtresës studentore që do të jetë prezente gjatë panairit të gjithë botuesit do të ofrojnë ulje në çmimet e librave që do t’ i prezantojnë gjatë panairit. Kjo edhe mund të jetë një arsye më shumë të mos mungoni në këtë panair.