Sot ka filluar punimet Forumi i Sigurisë Kosovë-Maqedoni, në Kolegjin AAB, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme të sektorit të sigurisë.
Ky aktivitet është organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”, Universiteti Kliement Ohridski, Fakulteti i Sigurisë në Shkup si dhe Kolegji AAB.
Me këtë rast, Menaxheri i Programit në Fondacionin Konrad Adenauer, Zyra në Kosovë, Granit Tërnava tha se rëndësia e kësaj konference sot ka të bëjë pikërisht me thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë sa i përket temës së sigurisë.
“Tema e sigurisë në nivel rajonal, mbetet me rëndësi të veçantë dhe meriton sigurisht vëmendjen e të gjithë neve. Fatkeqësisht për rrethana të njohura për të gjithë, Kosova nuk arriti të fitojë anëtarësimin në Interpol, pak kohë më parë, duke pamundësuar formalizimin ndërkombëtar për vendin, i cili ka shumë të japë për sigurinë. Gjithsesi kjo nuk mund të ndalojë assesi bashkëpunimin rajon në adresimin e temave të sigurisë, dhe Maqedonia është vendi që Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin”, shtoi Tërnava.
Ndërsa, koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri përshëndëti këtë iniciativë dhe tha se vendimi për themelimin e ushtrisë është hapi i madh.
“Nga ne kërkohet më shumë punë dhe rezultate konkrete për të rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe investimeve ndërsjellse. Sa i perket sigurisë dhe stabilitetit rajonal vendimi i qeverisë për themelimin e ushtrisë është hapi më i madh, jo vetëm për Kosovën por për gjithë rajonin, duke e bërë kështu Kosovën gjenerus të stabiliteti rajonal dhe të paqes”, u shpreh Tahiri.
Tutje, Agim Nuhiu, Zv.ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kenë një funksion të standardizuar të sigurisë i cili duhet të jetë i vendosur në lidhje harmonike me partnerët euroatlantikë.
“Sistemi i sigurisë është njëri prej postulateve më të rëndësishme të ekzistences së shteteve – ndërsa kërcënimet me elemente penalo juridike si dhe dyndjet masovike nga migracioni janë dhe mbeten test për sigurinë, shtetin juridik, sundimin e drejtësisë dhe për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe qytetari” theksoi Nuhiu, duke shtuar se Maqedonia si dhe Kosova duhet ta kenë lidhje të forta me shtetet euroatlantike.
Brenda margjinave të këtij projekti do të analizohet dhe hulumtohet në tre fusha që mbështeten në konceptin e sigurisë në të dy vendet, reforma e sistemit të sigurisë, kërcënimet nga terrorizmi dhe luftëtarët e huaj, risocializimi, deradikalizimi dhe rritja e sigurisë përmes politikave për të drejtat e pakicave si dhe rreziku nga ndryshimet e kufijve në regjion.