Me një ceremoni solemne, në Kolegjin AAB është bërë hapja e Festivalit Ndërkombëtar “Prishtina Architecture and Arts Festival”, PAAF 2018, festival ky që do të zgjasë deri më 05 maj 2018.
Me këtë rast, drejtori i këtij festivali, Bujar Demjaha, tha se kjo nuk është hera e parë që AAB organizon ngjarje të tilla, ku përpos të sfilatës, hapjes së ekspozitës, festivalit të filmit të metrazhit të shkurtër dhe atij dokumentar, do të ketë edhe një event jashtëzakonisht me rëndësi, e që është Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me ligjërues të rajonit dhe më gjerë.
Ai, festivalin PAAF 2018 e cilësoi si një eksperiment në të cilin kanë me provu që t’i lidhin artet e ndryshme me arkitekturën, siç e quanai, “Ashtu si është edhe jeta”.
“Arkitektura nuk është ndërtesa, nuk është shtëpia, nuk është shtylla apo trau, por arkitektura është jeta, aty ndodh diçka dhe përpos jetës, plotësohet me elementet e tjera që në këtë rast do të provojmë me i lidhë me artet. Pra është një qasje shumë diciplinare, është një qasje komplekse ku e ka për qëllim theksimin e çdo gjëje që është autentike dhe që e përcakton identitetin e vendit”, tha Demjaha.
Për festivalin PAAF 2018, Demjaha thotë se është i bindur që do të shkojë mirë. Poashtu, ai thotë se ky festival do të vazhdojë të organizohet në Kolegjin AAB edhe në vitet e ardhshme, e që pritet të jetë edhe më i mirë se sivjet.
Hapja solemne e këtij festivali u bë edhe me performancën dhe prezantimin e kreacioneve të studentëve të Fakultetit të Dizajnit të Modës dhe të Shkollës Profesionale Gjermane, kreacione që janë mentoruar nga kreatorja Krenare Rugova, për të vazhdur më pas me ekspozitat e studentëve të arteve, ku u prezantuan punimet më të mira të studentëve nga arkitektura, dizajni grafik, piktura dhe punimet më të mira nga konkursi i branding.
Poashtu, pjesë e hapjes së PAAF 2018 ishte edhe shfaqja e pesë filmave e parë pjesëmarrës të zhanrit të shkurtër dhe dokumentarë nga shkollat e filmit të Universitetit të Lubjanës – Slloveni; Akademisë së Arteve Skenike të Universitetit të Sarajevës – Bosnjë e Hercegovinë; Universitetit të Arteve nga Shqipëria; Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës – Maqedoni dhe natyrisht Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB.
Në kudër të festivalit PAAF 2018, i cili në këtë edicion zhvillohet nën temën The sound of place, ditën e dytë do të zhvillohet konferenca e arkitekturës, me pjesëmarrjen e folësve kryesorë nga Italia, Sllovenia, Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Kosova.
Veçanti e PAAF 2018 do të jetë edhe koncerti i muzikës akuzmatike, me kompozitoren Donika Rudi, mësimdhënëse në Fakultetin e Muzikologjisë në AAB, i cili do të mbahet të premten, më 04 maj, në ditën e dytë të festivalit.
Në ditën e fundit të PAAF 2018, të shtunën, pjesëmarrësit e festivalit do të kenë mundësi të ndjekin programin në terren, i cili ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore e arkitektonike të vendit tonë. /Gazeta KNN
Për ta parë të plotë ceremoninë e hapjes së PAAF 2018, shikojeni videon më poshtë: