Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB ka filluar punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat eurointegruese”

Me një ceremoni solemne, në AAB Teatrin “Faruk Begolli”, Kolegji AAB ka nisur punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat eurointegruese”, e cila po mbahet për nderë të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Këtë konferencë, Kolegji AAB e ka organizuar në partneritet me: Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Kolegjin “Pavarësia”, Vlorë.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij tha se AAB është bërë një qendër e rëndësishme akademike/shkencore jo vetëm në Kosovës por edhe në rajon e më gjerë.

“Ne në AAB organizojmë shumë konferenca shkencore dhe në vazhdimësi e ritheksojmë se shkenca përbën faktorin themelor tejet të nevojshëm për t’u përballur me sfidat e mëdha që na presin si vend në një Evropë të integruar. Shkencës dhe rolit të saj, ne si institucion i kemi kushtuar rëndësi të veçantë, duke krijuar e ngritur si dhe avancuar kapacitetet tona të brendshme për të avancuar këtë komponentë”, tha rektori Tafa.

Sipas tij, kjo konferencë është vazhdimësi që dëshmon seriozitetin që tregon Kolegji AAB, duke trajtuar seriozisht rëndësinë që ka edukimi cilësor dhe duke siguruar që krahas procesit të mësimdhënies, të zhvillohet edhe komponenti shkencor.

“AAB në praktikat e përditshme të mësimdhënies mbështetet në zhvillimin e mësimdhënies të bazuar në hulumtime, duke siguruar që profesorët dhe studentët së bashku të përfshihen në hulumtime shkencore, të cilat paraqesin një vlerë të veçantë jo vetëm për komunitetin akademik, por edhe për tërë shoqërinë tonë. Si institucioni më i madh jopublik për nga numri i studentëve, por edhe i stafit akademik që ka, si institucioni i ranguar më së larti nga institucionet jopublike shqipfolëse, kërkimi shkencor është edhe një nga anët e forta të këtij institucioni”, teksoi rektori Tafa.

Ai tha se Kolegji AAB përveç realizimit të disa projekteve kërkimore me fonde të jashtme dhe të brendshme, investon edhe në sferën e botimeve.

“Vetëm brenda këtyre tre muajve të fundit, Shtëpia Botuese “AAB Press”, ka nxjerrë nga shtypi pesë monografi studimore, ndërsa tash e nëntë vite e kemi revisten shkencore “Thesis” me ISSN dhe bord ndërkombëtar”.

Konferenca shkencore “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat eurointegruese”, sipas rektori Tafa, vë theks në mënyre të qartë të çështjet lidhur me sfidat e integrimit të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë e përshpejtimit të integrimit të Kosovës në këtë proces.

“Kosova vazhdon të jetë faktor kyç për stabilitetin në Ballkan dhe çështjet kruciale në përshpejtimin e proceseve integruese në gjithë rajonin tonë. Në këtë kuptim, shpreh bindjet se punimet e kësaj konference dhe përfundimet e saj do të jenë një kontribut i rëndësishëm akademik për implementuesit e politikave në Kosovë dhe një dëshmi shtesë e misionit që ka Kolegji AAB për kontributdhënien e saj në përmirësimin e shoqërisë dhe integrimin e vendit”, tha rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa.

Ndërsa, ish-presidenti i Kosovës, i cili ishte njëri ndër aktorët kyç në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Fatmir Sejdiu, në fjalën e tij në hapjen e kësaj konference, tha se mendon që vetëm studiuesit kanë mundësinë që esëll dhe pa rrjeshtime e anime politike, të shohin zhvillimin e një procesi të një vendi.

Ai tha se Kosova ka kapërcyer një distancë të mirë dhe në vertikalen e vet ka dëshmuar funksionimin apo qëndrueshmërinë si shtet, por ajo sipas tij, paralelisht ka shumë gjëra që duhet t’i bëjë ndryshe.

“Mundësitë janë, kapacitetet janë, por duhet punë dhe djersë, me i hapë siç thotë populli ‘sytë shumë”, me e ba orën, jo vetëm një orë, dy orë, shtatë orë apo sa janë oraret e punës, por edhe 24 orë na dalin pak”, tha ish-residenti Sejdiu.

Në hapjen solemne të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat eurointegruese”, fjalën përshendetëse e morën edhe Faton Shabani nga Universiteti i Tetovës dhe Myzafer Elezi nga Kolegji ” Pavarësia”, Vlorë.

Punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat eurointegruese” janë duke u mbajtur gjatë ditës së sotme në pesë sesione të ndara në Kolegjin AAB, të cilat do të vazhdojnë edhe në ditën e nesërme, duke filluar nga ora 9:00 deri në ora 15:00. /Gazeta KNN