Kuriozitete

Në Kinë pacientët i përgatisin vet ilaçet kundër kancerit

Pavarësisht sigurimit shëndetësor, pacientët me sëmundje të pashërueshme në Kinë detyrohen që ilaçet për sëmundjen e tyre t’i kërkojnë jashtë vendit ose në internet, për të mbetur gjallë. Në një reportazh të gazetës amerikane, “The New York Times”, shihet një burrë i cili i përgatit ilaçet kundër kancerit për nënën e tij të sëmurë.

Ai shihet duke e vendosur një pluhur të verdhë në një peshore elektrike. Nuk ka përvojë në mjekësi dhe as në prodhimin e ilaçeve në mënyrë profesionale. Nëna e tij vuan nga kanceri i mushkërive dhe për të nevojiten disa lloje të ilaçeve, të cilat sistemi shëndetësor i Kinës nuk mund t’ia ofrojë.

Ai është i vetëdijshëm për rrezikun. Ilaçi të cilin ai po e përgatit nuk është miratuar për përdorim në Kinë apo në SHBA. Ai i ka blerë përbërësit përmes internetit, por ai nuk e di saktësisht se prej kujt i ka blerë dhe madje as a janë përbërës të vërtetë. “Ne nuk e kemi të drejtën për të zgjedhur. Vetëm shpresojmë se shitësit janë të vetëdijshëm për këtë”, thotë Zhang Zhejun.

Popullsia e Kinës po plaket dhe rrjedhimisht edhe sëmundjet vdekjeprurëse, siç është kanceri, po shtohen. Sidoqoftë, shumë prej të sëmurëve nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për ilaçe. Sistemi shëndetësor i vendit nuk i mbulon çmimet e tyre, të cilat vazhdojnë të rriten. Mbulimi i tyre varet edhe nga zonat ku pacientët jetojnë.

Për të mbetur gjallë, njerëzit detyrohen që ta thejnë ligjin. Faqet e shitjeve “online” në internet janë të mbushura me ilaçe të paligjshme, ndërsa shpërndarësit e tyre mbajnë edhe barnatore të fshehta. Në disa raste, pacientët e kancerit dhe familjet e tyre i përgatisin ilaçet vet, përmes gjetjes së përbërësve dhe udhëzimeve në internet.

Disa ilaçe gjenden vetëm jashtë Kinës dhe së pari ato duhet të miratohen. Nga viti 2001 deri në vitin 2016, Kina aprovoi vetëm rreth 100 ilaçe të reja, shifër që paraqet një të tretën e shifrës së ilaçeve të miratuara në vendet e zhvilluara. Miratimi i përdorimit të një ilaçi të caktuar në Kinë është një proces që nganjëherë zgjat shtatë vjet, duke e shndërruar kancerin në një dënim me vdekje për shumë njerëz. Edhe kur ilaçet arrijnë dhe miratohen për përdorim, shumë pacientë nuk kanë të holla të mjaftueshme për t’i blerë ato, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli