Aktuale

Në gjendje të rëndë njëri nga të lënduarit e aksidentit të tmerrshëm në Gjilan

Një nga të lënduarit në aksidentin tragjik që ndodhi dje në Gjilan, është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerët që po trajtohen në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) thuhet se janë jashtë rrezikut për jetë.

Zëdhënësi QKUK-së, Shpend Fazliu, ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se njëri nga të lënduarit e aksidentit edhe pas operacionit disa orësh nga neurokirurgët është transferuar në mjekim intesiv qendror, por që gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë.

“Tre personat e transferuar nga Spitalit i Gjilanit fillimisht kanë marrë tretmanin në Klinikën Emergjente. Një është transferuar në Kirurgji Torakale dhe është jashtë rrezikut për jetë. Një në Neurokirurgji po ashtu jashtë rrezikut për jetë. Një pas operacionit disa orësh nga neurokirurgët është transferuar në mjekim intensiv qendror dhe gjendja e tij është e rëndë. Stafi mjekësor po ofron kujdes maksimal”, ka treguar Fazliu.

Nga aksidenti i djeshëm që u shkaktua dje nga një kamion transportues që ishte në shpejtësi të madhe në qendër të qytetit të Gjilanit, mbeti i vdekur një person dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu ka treguar se gjendja e të aksidentuarve po shkon drejt përmirësimit dhe se nuk ka pasur nevojë për ndonjë intervenim.

Hajrullahu ka deklaruar se një prej tyre është liruar mbrëmë në shtëpi, pasi gjendja e tij ka qenë e mirë.

“Gjendja e tyre është e mirë. Nuk ka nevojë për ndonjë intervenim, pasi që gjendja e tyre vetëm sa po shkon duke u përmirësuar. Mbrëmë është lëshuar nga Spitali një prej të lënduarve, derisa të tjerët po vazhdojnë të trajtohen”, ka thënë Hajrullahu.

the authorBurbuqe Metolli