Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që më 28 prill të fillojë gjykimin ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, si dhe ndaj disa ish-zyrtarëve të tjerë të Komunës, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti.
Lajmin për caktimin e seancës e ka konfirmuar edhe avokati Arianit Koci, i cili mbron Bujën.
“Po, seanca është caktuar në fund të këtij muaji. Aty pritet që klienti im të deklarohet i pafajshëm dhe më shumë se kaq nuk mund të komentoj”, ka thënë avokati.
“Koha Ditore” në shkurt të këtij viti e ka publikuar aktakuzën kundër Bujës. Mënyra se si është korruptuar Buja dhe zyrtarët e Komunës dëshmohet përmes disa bisedave telefonike, të cilat janë përfshirë në aktakuzë.
Mënyra se si ishte korruptuar Buja dhe ish-zyrtarët e Komunës: Hasim Viseshella, Edmond Rexhepi, Bajram Rizani, Driton Avdiu dhe Burim Kodra nga miku i tij Fahri Retkoceri, dëshmohet përmes disa bisedave telefonike.
Të akuzuar janë edhe ish-zyrtari për çështje pronësore, Nebih Zeqiri, si dhe zyrtarët e tjerë, Halit Gashi e Magbule Sadiku, gjatë viteve 2008-2011.