Aktuale

Në Ditën e Dëshmorëve kërkohet të përfundojë rregullimi i varrezave

Familjarë të dëshmorëve në shënimin e Ditës së dëshmorëve të komunës së Prishtinës kërkuan edhe një herë që të përfundojë rregullimi i varrezave të dëshmorëve, derisa krerët e Komunës së Prishtinës premtuan se do të ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës së varrezave.

Motra e dëshmorit Sokol Sopit, Kosovare Sopi, tha se që 18 vite këto varreza në kryeqendër nuk janë të rregulluara dhe vazhdojnë të mbeten në gjendje të mjerë.

Përveç kësaj, ajo tha se edhe data e vdekjes së vëllait të saj është ndërruar, pasi që ajo tha se vëllai i saj ka ndërruar jetë me 21 prill dhe jo më 20 prill. Motra e dëshmorit Sokol Sopi, Kosovare Sopi, tha se këtë shqetësim e kanë shprehur, por që nuk kanë gjetur përkrahje.

“I kemi shprehur edhe nuk kemi gjet përkrahje në asnjë nivel, as komunal as qendrorë, as presidencial. Nuk kemi gjet përkrahje askund ne si familje”, tha ajo.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se përkulen para varreve të dëshmorëve për të përkujtuar sakrificën e tyre që tash të jetojnë të lirë. Po ashtu, Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës do të ndihmoj në përmirësimin e infrastrukturës së varrezave. Ai bëri të ditur se gjatë ditës do të prezantojnë projektin për varrezat e Marecit.

Gjithashtu, kryetari i Komunës së Prishtinës tha se do ta marrin projektin për varrezat e Komunës së Prishtinës nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se janë të gatshëm si Komunë që ta zbatojnë projektin.

Kryetari i familjeve të dëshmorëve, dega në Prishtinë, Naser Pacolli, tha se Komuna e Prishtinës ka 70 dëshmorë dhe mbi 130 viktima civile.

Ai kërkoi nga institucionet edhe qendrore edhe komunale që të punojnë më shumë në përfundimin e ndërtimin e varrezave dhe në mirëmbajtjen e tyre. Ndërsa, Lirak Çelaj, kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë, i cili bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve, si dhe dhuroi gjak, tha se dhurimi i gjakut është simbolikë për të përkujtuar të gjithë ata që rënë që sot të jetojnë të lirë.

Për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Transfuzioni i Gjakut e ka organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” edhe ditën e dhurimit të gjakut ku vullnetarët mund të dhurojnë gjak gjatë gjithë ditës.

Menaxheri për marketing dhe informim në QTGJ, Fadil Mahmuti, tha se është hera e pestë që në këtë ditë dhurohet gjak dhe është shumë e rëndësishme pasi që nevojat për gjak janë shumë të mëdha. Dita e dëshmorëve të komunës së Prishtinës shënohet çdo 18 prill. Përveç homazheve te varrezat për nder të të rënëve, në orët e pasdites do të organizohet edhe një akademi përkujtimore.