Aktuale

Në bisedimet me Serbinë të kyçet më shumë edhe shoqëria civile

Konferencën vjetore e Platformës CiviKos “Bashkëpunimi në mes të Shoqërisë Civile dhe Qeverisë”, bëri sot bashkë qeverinë dhe shoqërinë civile në një bashkëbisedim që hapi këtë konferencë.

Kryeministri i vendit Isa Mustafa ka theksuar se është vullneti i qeverisë që të vazhdojmë më bashkëpunim mes institucionit që ai përfaqëson dhe shoqërisë civile, për çështje që janë në interes të qytetarëve.

“Roli i shoqërisë civile në vendin tonë është i madh. Ka pasur arritje por dhe ngecje tek disa institucione në këtë aspekt. Por takimi i sotëm mund të ndikojë që boshllëqet  t’i organizojmë më mirë. Në të ardhmen duhet të gjejmë gjuhë dhe hapësirë të përbashkët.”, ka thënë kryeministri Mustafa.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka numëruar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmës që shoqëria civile mund t’i jap Qeverisë në procese të rëndësishme për vendin, përfshirë edhe inkuadrimin e shoqërisë civile në bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Kemi edhe dialogun me Serbinë, ne konsiderojmë që të kemi kyçje më të madhe të shoqërisë civile. Konsideroj se domosdoshmërish duhet të krijojmë hapësirë dhe vullnet që shoqëria të jetë e kyçur në këtë fushë. Është dhe MSA, implementimi s’mund të bëhet në mënyre të njëanshme vetëm nga institucionet por dhe nga shoqëria civile. Është agjenda e reformave evropiane, ku është sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, arsimi, dhe këto janë çështje që zgjojnë interesin e përbashkët që të punojmë bashkërisht sepse sukseset do të jenë më të mëdha. Veçmas në reformat në arsim. Edhe fushat e reformave zgjedhore në të cilën fushë do të ishte gabim ta bëjmë vetëm, sepse pjesëmarrja përmbajtjesore e shoqërisë civile rrit cilësinë. Ne duhet ta kapim momentin duhet të punojmë bashkërisht”, ka thënë kryeministri Mustafa.