Në Kolegjin AAB, përpara studentëve të Fakultetit të Kulturës Fizike, sot është promovuar libri me titull “Rruga e kampionit olimpik”, i autorëve Sefer Tahiri, Reshat Ibrahimi dhe Florim Rexhepi, kushtuar kampionit olimpik në mundje nga Shkupi i Maqedonisë, Shaban Tërstena. Në këtë libër përshkruhet monografia e tij me fakte interesante nga jeta, si dhe karriera e tij 19 vjeçare, vështirësitë dhe sukseset në planin sportiv.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa, në fjalën e tij tha se Shaban Tërstena është ikonë e sportit mbarë shqiptarë.
“z. Tërstena, kur ju keni fituar medaljen e artë në Los Anxhelos, unë kam qenë 14-vjeçar. Në atë kohë me kujtohet entuziazmi që kam pasur përpara televizorit kur ju keni fituar medalje. Nuk më ka shkuar mendja asnjëherë që do të kem mundësinë që një ditë, duke e udhëhequr një universitet, bashkë me studentët tanë, t’ju presim dhe t’ju kemi këtu mysafir. Është nderë dhe kënaqësi e jashtëzakonshme”, u shpreh rektori Tafa.
Si nikoqir i promovimit të këtij libri, rektori i Tafa i njoftoi të pranishmit në këtë promovim edhe për rëndësinë e madhe që Kolegji AAB ia kushton shkencës, artit, sportit etj.
“Ne si institucion kemi fakultetin e Kulturës Fizike në dy nivele, bachelor dhe master. Po ashtu si institucion, e kemi pasur për një kohë të gjatë klubin tonë të volejbollit, i cili disa vite me radhë ka qenë kampion i Kosovës, në kategorinë e femrave, kanë qenë edhe fitues së kupës së Kosovës disa herë. Ne, anëtarë të bordit kemi Fadil Vokrrin, legjenda e futbollit të Kosovës, ndoshta futbollisti më i njohur dhe më i famshëm i të gjitha kohërave. Studente në Kolegjin AAB është Majlinda Kelmkendi, kampione e botës në xhudo, fituesja e medaljes së artë, e para në Kosovë. Para pak ditësh në AAB kishim edhe Lorik Canën, kapitenin e Kombëtares Shqiptare në Futboll, sot kemi Shaban Tërstenën…”, theksoi Tafa.
Ai tha se e ka ka vetëm një kërkesë për ish-kampionin olimpik, e ajo kërkesë është që Tërstena mos të ndalet.
Ndërsa, profesorin e Kulturës Fizike në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij i përgëzoi autorët që ua kanë mundësuar gjeneratave të reja që ta kenë përpara vetit një shembull ku secili secili mundet me u motivu për punë.
“Libri flet për kmbëngulësinë. Libri flet se pse njerëzit e suksesshëm vendosin një qëllim përpara vetes dhe pa marrë parasysh se cilat janë sfidat me të cilat duhet me i përballu, asnjëherë nuk ndalen. […] Poashtu, libri flet se si mund që një djalosh i vogël, i cili vjen prej një familje me kushte ekonomike jo shumë të mira, që ka qenë pasqyrë e gjendjes së shumicës së familjeve shqiptare që kanë jetu në atë kohë, të mbrrijë t’i tejkalojë të gjitha sfidat edhe me i prekë majet e suksesit”, u shpreh profesor Vehapi.
Ai tha se ky libër, në rend të parë do t’ju shërbejë studentëve të Kulturës Fizike, të cilët më së miri dinë ta çmojnë vlerën e punës në palestër.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike në Kolegjin AAB, Fatmir Pireva, tha se Tërstena, me sukseset e tij, ka shfaqur faqët më të bukura të sportit të mundjes anë e mbanë, jo vetëm në trojët shqiptare, por në tërë botën.
“Këto suksese i arriti në një kohë kur emri shqiptar pothuajse ishte i ndaluar. Në një kohë kur sportistët shqiptarë, për t’u shpallur fitues është dashur që të jenë disa herë më të mirë se kundërshtarët e tyre që kryesisht ishin kundërshtarët sllavë”, tha dekani Pireva.
Sipas tij, përveç kundërshtarit direkt, sportistët shqiptarë e kishin edhe një kundërshtar indirekt që ishte shumë më i ashpër dhe më i pamëshirshëm, e ai ishte regjimi i atyre kohërave.
Sefer Tahiri, njëri nga autorët e librit, në fjalën e tij tha se emra të mëdhenj çdo herë kanë dhënë kombet e mëdha dhe shtetet e fuqishme ekonomike ose politike, por sipas tij, historia sportive ka bërë edhe përjashtime.
“Kjo edhe e dëshmon se edhe kombe dhe shtete të vogla, historisë së sportit i falin emra të mëdhenj të papërsëritshëm. Janë ata që kanë shënuar sukseset kulmore. Kombet të cilat i japin historisë botërore njerëz të mëdhenj, nuk mund të quhen të vegjël. Nga palca kombëtare e shqiptarëve, nga Maqedonia, kanë lindur figura madhore që bota i njeh si emrat të legjitimuar dhe të verifikuar me rezultate dhe suksese konkrete. Janë shqiptarët më të cilët krenohemi dhe afirmohemi në arenën sportive ndërkombëtare. Janë shqiptarët që na kanë bërë krenarë në kohëra të ndryshme. Kemi jetuar me sukseset e tyre. Jemi mburrur me ato suksese. Kemi ndjerë ankthe të garave ku përballeshin si viganë në duele të mëdha. Jemi ndjerë pjesë e kombeve të mëdha, prandaj nuk mund t’i harrojmë edhe po të duam”, u shpreh ai.
Në këtë promovim fjalë rasti mbajti edhe autori tjetër i i librit “Rruga e kampionit olimpik”, Florim Rexhepi, i cila tha se Tërrstena, gjatë karrierës së tij të gjatë sportive, me dashje apo pa dashje është bërë protagonisti kryesor i vetëm dhe i pa përsëritshëm i sportit të mundjes anë e mbanë botës, jo vetëm për periudhën sa ka qenë aktiv në jetën sportive, por edhe në periudhën në vijim dhe me siguri, edhe në të ardhmen.
“Për të është folur dhe flitet akoma në botë. Fama e tij bëri që shumë ekspertë dhe njohës të mëdhenj të këtij sporti të ndalen dhe të fokusohen në arritjen e sukseseve, duke nxitur shumë kureshtje mes analizave dhe qasjeve profesionale për trajtimin e këtij fenomeni. Bëhej fjalë për një befasi të madhe në gjithë opinionin në mbarë botën për arritjet e tij, për faktin që vinte nga një qytet siç ishte Shkupi, që për botën nuk përbënte një potencial të këtyre përmasave”, tha bashkautori i librit “Rruga e kampionit olimpik”, Florim Rexhepi.
Ndërsa, recensenti i këtij libri, Besnik Telai, tha se ky libër u jep disa porosi, ku lexuesi do të ketë në çka të motivohet më shumë për të arritur majat e suksesit.
Krye personazhi i librit “Rruga e kampionit olimpik”, Shaban Tërstena, u tha studentëve të Kolegjit AAB se rruga që e ka çuar drejt suksesit kulminant ka qenë përkushtimi i tij madh në stërvitje.
“Suksesi i im nuk ka asnjë sekret. Sekreti i vetëm ka qenë puna dhe stërvitjet e pa ndalura”, tha ish-kampioni olimpik në mundje, Shaban Tërstena.
Ai u dha studentëve edhe disa këshilla të çmuara se si mund të arrihet drejt suksesit kulmor, duke u treguar atyre shumë nga sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë karrierës së tij.
Në fund të këtij promovimi, studentët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të cilave iu përgjigj ish-kampioni olimpik në mundje, Shaban Tërstena.
Shaban Tërstena i lindur në vitin 1965 në Çair të Shkupit, është sportisti më i suksesshëm shqiptar, i cili ka arritur të fitojë medaljen e artë në lojërat olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos të SHBA-ve, ndërsa pas katër viteve fitoi medaljen e argjendtë në Seul.
Ai po ashtu fitoi medaljen e argjendtë në vitet 1983, 1985, 1986 dhe medalje të bronztë në vitin 1982 dhe 1988. Ndryshe, Tërstena është shpallur edhe sportist i shekullit në Maqedoni dhe në hapësirën mbarë shqiptare. /S. Musliu