Arsim & Kulturë

Në 2017-tën, rreth 30 botime të Institutit me logon e 10-vjetorit

Me dy vëllimet e reja të edicionit “Scupi”, filloi botimi i një cikli prej rreth 30 botimeve të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, me logon e 10-vjetorit.

Bëhet fjalë për libra shkencorë të fushës së historisë, gjuhësisë, letërsisë, etnologjisë, revista e botime të veçanta, të cilat botohen sivjet me rastin e 10 vjetorit të themelimit të ITSHKSH-së.

Me këto botime shënohet edhe një thellim i mëtejmë i bashkëpunimit të suksesshëm në mes të institucioneve shkencore të Shkupit, Tiranës e Prishtinës.

Në “Scupi – 16”, botohen punimet e konferencës shkencore “70 vjetori i Kongresit të II (IV) të NDSH-së në Shkup”, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Në kuadër të kësaj konference, me studiuesit nga Shkupi e Prishtina, janë shpalosur të dhëna të reja lidhur me veprimtarinë e NDSH-së, është vendosur një pllakë përkujtimore në oborrin e shkollës “Liria” në Shkup, si dhe janë emëruar pesë rrugë të Çairit me emrat e veprimtarëve të NDSH-së.

Kurse, në “Scupi – 17″, botohen punimet e konferencës shkencore me temë “75 vjetori i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore”, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike të Tiranës. Edhe në këtë konferencë, me pjesëmarrjen e shkencëtarëve dhe akademikëve të njohur nga Tirana, Prishtina e Shkupi, si dhe autorëve amerikanë, janë zbardhur fakte të reja lidhur me veprimtarinë e mësuesve të parë që hapën shtigjet e diturisë dhe përparimit në këto troje.

Shumica e këtyre 30 botimeve të sivjetme, mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë, ndërsa një pjesë nga Ministria e Kulturës dhe institucione tjera.