Aktuale

Ndryshohet udhëzimi administrativ për certifikimin e automjeteve me gaz

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka nënshkruar Udhëzimin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ mbi Stabilimentet dhe Pajisjet për Ngasje të Automjeteve me Gaz.

“Me këtë udhëzim janë përcaktuar kushtet, kriteret dhe procedurat për marrjen e autorizimit për atestimin dhe certifikimin e automjeteve motorike me gaz dhe marrjen e licencës për punë të punëtorisë për servisim të automjeteve”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës.

Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është krijimi i lehtësirave administrative-teknike dhe ligjore për subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari, duke iu mundësuar qasje të barabartë e jodiskriminuese dhe krijimin e një tregu të lirë në këtë fushë.

Me ndryshimet dhe plotësimet e bëra përmes këtij akti nënligjor hiqet barriera e autorizimit të më

tepër institucioneve për atestimin dhe certifikimin e automjeteve motorike me gaz, që është në përputhje me vendimin nr. 17/44, të datës 12 gusht të vitit 2015, të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi eliminimin e të gjitha veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë.