Të gjithë kandidatët e komunitetit turk të cilët do t’i nënshtrohen testit teorik për patentë shofer, tash e tutje do ta kenë atë në gjuhën e tyre.
Kjo është bërë e ditur sot gjatë takimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekajt me deputetët nga grupi parlamentar 6+.
Ministri Lekaj theksoi se tashmë është përmbushur kërkesa e tyre kushtetuese dhe ligjore që të gjithë kandidatët e komunitetit turk t’i nënshtrohen testit në gjuhën e tyre.
Për punën e bërë në realizimin e kësaj kërkese të nevojshme për komunitetin që përfaqësojnë, në emër të grupit parlamentar 6+ nga radhët e komunitetit turk, ministrin Lekaj e falënderoi deputetja Muferra Sinik, njëherit edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Të gjithë kandidatët që duan t’i nënshtrohen testit për patentë shoferë në gjuhën turke, paraprakisht duhet të parashtrojnë kërkesë pranë Njësisë së Patentë Shoferëve ku ata do të testohen./FaktePlus