Presidenti sirian Bashar Al Assad ka zëvendësuar tre ministra në qeveri – atë për mbrojtje, informim dhe industri, transmetojnë mediat siriane.
Assad ka emëruar gjeneralin Ali Abdullah Ajub në postin e ministrit të Mbrojtjes, Mohamed Mazen Ali Jusef në vendin e ministrit të Industrisë, derisa Imad Abdullah Sarah është ministër i ri për Informim.
Ajub, i cili ishte shef i shtabit të përgjithshëm, është pjesëtar i sektit alavit, degë e islamit shiit, të cilit i takon edhe Assad, transmeton Reuters.
Gjenerali Ajub ka zëvendësuar Fahd Jasem el Freixhi, i cili ishte ministër i mbrojtjes që nga viti 2012.
Ministri i ri i Informimit më herët ka qenë shef i radio-televizionit shtetëror.
AP shkruan se nuk dihen arsyet për ndryshime në qeveri, transmeton KosovaPress.