Të paktën 187 migrantë kanë arritur të hyjnë në enklavën spanjolle Ceuta, pasi që me një vrapim të shpejtë kaluan pikën kufitare nga Maroku, njoftoi administrata e kësaj enklave.
Migrantët kanë kaluar kufirin në ora dy të natës duke vrapuar.
“Vrapimi i natës” ka befasuar rojat kufitare, të cilat duket se kanë dështuar të ndalojnë migrantët të hyjnë brenda territorit spanjoll.
“Ka kohë që nuk kanë provuar një gjë të tillë”, tha një zyrtar i gardës civile spanjolle.
Në xhirimin, të cilin e ka emituar televizioni lokal, shihen të rinjtë me origjinë nga Afrika, se si festojnë në rrugët e Ceuta, duke iu falënderuar Zotit dhe duke brohoritur “mirë se vini në Spanjë”.
Numri më i madh i migrantëve janë transferuar në qendrën e pranimit, ku do të mund të kërkojnë azil, transmeton KosovaPress.
Sipas të dhënave të autoriteteve në Ceuta, rreth 200 persona më 1 gusht tentuan të kalojnë murin e lartë kufitar dhe 73 prej tyre arritën të hyjnë në enklavë.
Enklavat spanjolle Melila dhe Ceuta në veri të Marokut, janë kufijtë e vetëm tokësorë ndërmjet Afrikës dhe Evropës, dhe zakonisht janë vendkalim për migrimin ilegal nga Afrika.