Është varrosur sot, në Berlin, i përcjellë me nderime nga familja, miq dhe bashkatdhetarë të shumtë dhe veprimtarë jashtë vendit, veprimtari i hershëm Avdullah Luma.
Në njoftim për media thuhet se i ndjeri ka qenë veprimtar i të gjitha formacioneve dhe organizimeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në katër dekadat e fundit.
“Ka qenë veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe i Fondit “Vendlindja Thërret”, aktivist i palodhshëm në mbështetje të organizimit dhe mbështetjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në diasporë, në zonën e Berlinit, dhe veprimtar i diasporës shqiptare në Gjermani, pas çlirimit të Kosovës”, thuhet në një njoftim për media.
Atdhetari Avdullah Luma ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare, dy ditë më parë, në Berlin, pas një sëmundjeje.
Pritja për ngushëllime organizohet në vendlindjen e tij, në fshatin Cërmjan të Gjakovës, në dy ditët e ardhshme, të martën dhe të mërkurën, më 11 dhe 12 tetor. /KosovaPress/