Rajon & Botë

Ndërron jetë ish-shefi i Shërbimit Civil të Britanisë, Sir Jeremy Heywood

Ish-sekretari i Kabinetit Qeveritar Britanik dhe shefi i Shërbimit Civil të Britanisë, Sir Jeremy Heywood ka vdekur nga kanceri në moshën 56 vjeçare, raporton Zyra e Kryeministres. Bashkëshortja e tij ka thënë se Heywood vdiq të dielën në mëngjes. Ai njoftoi për pensionimin e tij për arsye shëndetësore në fund të muajit të kaluar, pasi që edhe më parë kishte marrë pushim mjekësor, pas diagnostifikimit me kancer në qershor të vitit të kaluar.
Heywood shërbeu në qeverinë e Tony Blair dhe Gordon Brown, ndërsa u emërtua në pozitën e Sekretarit të Kabinetit Qeveritar gjatë qeverisjes së David Cameron. Kryeministrja May e quajti vdekjen e tij “humbje të madhe për jetën publike” dhe tha se ishte për keqardhje që Heywood nuk mundi të shërbente për një kohë më të gjatë për vendin edhe gjatë pensionimit.

Bashkëshortja e tij deklaroi se ai e konsideronte si privilegj të madh mundësinë për të punuar për së afërmi me katër kryeministra dhe se ishte i pakursyer që t’i ndihmojë secilit prej tyre për t’i arritur objektivat. “Jashtë jetës profesionale, ai dallohej me respekt dhe dashuri në mesin e shoqërisë së tij. Ai kishte aftësinë që ta bënte çdo ndejë apo çdo bisedë të ngrohtë dhe të këndshme”, deklaroi ajo.

Deputetja e Parlamentit Britanik, Yvette Cooper, nuk mundi t’i mbante lotët përderisa fliste për vdekjen e Heywood. “Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se sa shumë gjëra të rëndësishme ka bërë ai për vendin dhe se si i ka zgjidhur me sukses shumë probleme të vështira si një shërbyes i ndershëm publik. Kontributi i tij për të gjitha qeveritë, pavarësisht dallimeve partiake, ishte i jashtëzakonshëm dhe ne ia kemi borxh mirënjohjen dhe falenderimin”, tha ajo, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.