Aktuale

Ndalet qarkullimi i të gjithë trenave në Kosovë

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos, ka njoftuar se sot do të ndalohet qarkullimi i të gjithë trenave në vend, ku përfshihen trenat e mallrave dhe ata të udhëtarëve.

Ky vendim është marrë pas takimit të Kryesisë së SPH – Trainkos me Kryetarë të Shoqatave Sindikale për shkak se gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës, ka arrestuar makinistin e trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë), përcjell FaktePlus.

Në njoftimin e bërë në rrjetin social të kësaj shoqate, thuhet se makinisti i trenit 4200 relacioni Pejë -Prishtinë është ndaluar në mënyrë të padrejtë.

Shoqata ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut të tyre dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar,

Përmes këtij njoftimi duam të njoftojmë se nesër me datën 19.09.2019 nga ora 05:00 në mëngjes do të bëhet ndalimi i qarkullimit të të gjithë trenave në Republikën e Kosovës (trenat e mallrave dhe trenat e udhëtarëve).

Sot me datën 18.09.2019 në ora 19:30 minuta, është mbajtur takimi i Kryesisë së SPH – Trainkos me Kryetarë të Shoqatave Sindikale, dhe merret vendimi i lartcekur, si pasojë e arrestimit/ndalimit të kolegut tonë, makinistit të trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë) të datës 17.09.2019 nga Policia e Kosovës në mënyrë të padrejtë.

Me këtë arrestim nuk është duke u respektuar Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës si dhe Rregulloret dhe Udhëzimet e tjera administrative.

Kësisoj, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut tonë dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës.

Qarkullimi i trenave do të fillojë me lirimin e kolegut tonë nga Policia e Kosovës.

Me respekt Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos Sh.A./FaktePlus