Grupacione të vogla të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës janë ndaluar nga Policia e Kosovës, derisa po baritnin veturat e tyre 83 kilogramë e 550 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Ata kishin për qëllim shkëmbimin e kësaj sasie, derisa janë ndaluar në fshatin Rastavicë të Deçanit.
Veç tre personave të arrestuar, Policia e Kosovës në një konferencë për media ka bërë të ditur se edhe një person tjetër është në arrati.
Drejtori i hetimit të trafikimit të narkotikëve, Bahri Shala, ka treguar se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, dy me targa të Kosovës dhe një me targa të Shqipërisë, si dhe janë gjetur 5 telefona.
“Nga zbatimi i masave të fshehta është realizuar një operacion policor i cili ka rezultuar me arrestimin e 3 personave të dyshuar për vepër mbledhje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar të narkotikëve të substancave psikotirike ose anlaoge. Operacioni policor është realizuar në komunën e Deçanit, konkretisht në fshatin Rastavicë, ku pas kontrollit të ushtruar nga njësitet relevante policore është gjetur sasi e konsiderueshme e narkotikëve të llojit marihuanë, e cila pas matjeve nga zyrtarët policor ka arritur të rezultojë mbi 83 kilogramë. Në këtë rast personat e arrestuar janë. U.K. i lindur me 1971, i gjinisë mashkullore shqiptar kosovar, I.K. 1997, M.SH. i lindur po ashtu E.A me 1997”, ka treguar Shala.
Shala ka treguar se kjo sasi është sjellë nga Shqipëria përmes vijës së gjelbër nga Shqipëria në Kosovë.
Ai ka theksuar se hetimet janë duke vazhduar dhe se një person gjendet në arrati.
“Pas lokacionit të cekur në një hapësirë fushore është arritur që personat e dyshuar të nxihen në flagrancë të cilët baritnin veturat e tyre sasi të substancave narkotike dhe kishin për qëllim shkëmbimin e kësaj sasie në mes të shtetaseve shqiptarë dhe kosovarë…… Vlen të theksohet se këta tre persona janë të arrestuar por ne jemi duke zhvilluar hetime edhe ndaj personave tjerë me ç’rast njëri prej tyre është në arrati”, tha ai.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tregoi se tre personat në bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar kanë shkëmbyer substanca narkotike mes personave të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Tre persona të cilët në bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar kanë shkëmbyer substancë narkotike mes personave nga Shqipëria por edhe nga Kosova, ku shihet se janë konfiskuar tri automjete ku le të kuptoj automjete me targat e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Kelani.
Ndryshe, tre personat nuk janë pjesë e ndonjë strukture të lartë kriminale por janë grupacione të vogla të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës./KP/