Veterania e arsimit, mësuesja e devotshme, Melihate Deva-Nura u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, mëngjesin e 1 janarit 2017.
Melihate Deva ishte mësuesja e parë e shkollës shqipe në Mitrovicë, e cila arsimoi dhe edukoi shumë breza. Mësuesja Melihate Deva ka bërë një jetë të vështirë burgjesh e tragjedish familjare.
U lind në Mitrovicë në vitin 1924, në një familje patriotike dhe arsimdashëse. Fëmijërinë dhe rininë e saj e kaloi në vendlindje, në Mitrovicë. Ishte njëra ndër femrat e para të qytetit të Mitrovicës, që para Luftës së Dytë Botërore kishte mbaruar shkollimin fillor dhe të mesëm. Meqë në periudhën midis dy luftërave botërore nuk ka pasur shkolla në gjuhën shqipe, Melihatja u shkollua në gjuhën serbe. Më 1942 ndoqi edhe kursin pedagogjik në Prishtinë.
Pas kësaj menjëherë u emërua mësuese në shkollën fillore “Skënderbeg”, ku punonin edhe Lina Shkreli, Bedri Gjinaj, Ali Gaxha, Jorgji Shuteriqi, Gjon Kabashi e Zehra Zhubi. Kontributi i saj në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, sidomos në përfshirjen e femrave shqiptare të këtij mjedisi në shkollë, ka qenë jashtëzakonisht i madh. Pas Luftës së Dytë Botërore u emërua mësuese në Gjakovë, por shpejt organet e OZN-së e burgosën për shkak të veprimtarisë së saj arsimore, kulturore e patriotike në Mitrovicë dhe në rrethinë. U lirua nga burgu me “urdhër” që të vazhdojë të punojë në shkollat shqipe të organizuara nga pushteti i ashtuquajtur “popullor”. Gjithnjë ishte e përcjellë dhe mbahej në shënjestër të organeve të pushtetit komunist. Sërish e arrestuan dhe e dënuan, por tash edhe për “fajet” politike të bashkëshortit të saj, Nevruz Nura. Pas lirimit të tij nga burgu, u shpërngulën në Gjilan, ku Me lihatja punoi mësuese e punëtore në Shkollën e Amvisnisë. Në vitin 1958, u vendosën në Prishtinë. Aty punoi edukatore në foshnjoren e qytetit derisa u pensionua.
Ajo do të mbetet ikonë e shkollës dhe e arsimit shqip në Kosovë e më gjerë. Vlerësimi dhe falënderimi për punën dhe sakrificën e saj është bërë në mënyrë institucionale. Me dekretin nr. 811 të dt. 11 prill 1994, presidenti i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, e dekoroi Melihate Devën për meritat në hapjen e shkollave shqipe në Shqipërinë Veriore jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar (në vitet 1941-1944). Ndërsa, më 7 mars 2013, nga presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, Melihate Deva-Nura u nderua me Medaljen Presidenciale të Meritës për kontributin e dhënë në emancipimin e gruas shqiptare përmes arsimimit dhe edukimit të saj.