Aktuale

Ndahen shpërblimet për 10 esetë më të mira me temën “Pse e dua Amerikën” (Foto)

Shoqata “Miqtë e Amerikës” sot ka ndarë shpërblimet dhe mirënjohjet për fituesit e 10 eseve më të mira me temën “Pse e dua Amerikën”, ku me çmimin e parë u shpërblye Breror Rexha, çmimi i dytë i ka takuar Elona Zeqirit, ndërsa me çmimin e tretë u shpërblye Lekë Rama.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se qëllimi i kësaj ngjarje ka qenë që të ruhet dhe avancohet miqësia me SHBA dhe të informohen gjeneratat e reja, për gjithë atë çfarë ka bërë Amerika për Kosovën.

“Qëllimi primar është te miqësitë e krijuara me shumë zor gjatë historisë te populli shqiptar apo institucioneve të Kosovës me SHBA-të ta ruajmë dhe ta avancojmë. Është një fakt tjetër, që gjeneratat e vjetra e dinë ndikimin e madh të SHBA-ve, mirëpo e dinë dhe ndihmën e madhe që na kanë dhënë gjatë historisë. Mirëpo, është dhe fakti tjetër që pas luftës së fundit që ka ndodhur në Kosovë, kanë lindur gjeneratat e reja, të cilat nuk janë të njoftuar me atë se sa kanë ndihmuar SHBA Kosovën dhe popullin shqiptar. E vërteta është tjetra është një tendencë e ndikimit të jashtëzakonshëm të elementeve fundamentalistë radikal, e posaçërisht te rinia dhe ne kemi dashur që në një formë të tillë të nxitet elementi krijues te fëmijët. Dhe fëmijët të tregojnë atë gatishmërinë, vullnetin, respektin dhe dashurinë që kanë për SHBA-të. Por, njëkohësisht t’i stimulojmë me të mira materiale. Forma tjetër është edhe elementi që përmes kësaj forme, fëmijët të debatojnë mes vete, me prind dhe personelin arsimor, sikurse me të afërmit e vet për këtë ese dhe në mënyrë indirekte të krijohet ura apo respekti indirekt”, tha Rexhepi.

Fituesi i vendit të parë për esenë më të mirë Breror Rexha, tha se ndihet i nderuar për çmimin e marrë.

“Ndihem shumë i gëzuar dhe i nderuar, që më kanë shpall mua fituesin e kësaj gare dhe i falënderoj për mundësinë që na i kanë dhënë të gjithëve, për me i shpreh aftësitë dhe talentet tona. Shpresoj që do të vazhdojmë për të bërë këtë dhe në të ardhmen, se do ta ndihmonte shumë rininë e Kosovës”, tha Rexha./KP/