Aktuale

Ndahen 200 mijë euro për OJQ që merren me gratë e dhunuara

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 200 mijë euro, për përkrahjen e shoqatave për gratë e dhunuara gjatë luftës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se këtë po e bëjnë me qëllim të përkrahjes së kësaj kategorie kaq të ndjeshme.

“Në përkrahje të kërkesës suaj, me qëllim që t’i ndihmohet kategorisë më të ndjeshme në shoqëri për gratë e dhunuara. Ne propozojmë që nga rezerva e paparashikuar e qeverisë, OJQ-ve, të cilat merren me këtë çështje në mënyrë propocionale, t’i ndahet shuma prej 200 mijë euro”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë obligimet që ka ndaj kategorisë në fjalë.

“Ky vendim merret në pritje të përfundimit të rregullores dhe dhënies së drejtës së merituar kategorisë në fjalë. Ky është një vendim funksional, një buxhet funksional dhe kurdo që krijohet rregullorja dhe baza ligjore të kalojmë në obligimin që merr Kosova. Ndoshta do të ishte me rëndësi që kjo rregullore e nevojshme për të kaluar ministër Reçica, në mujshim me bë gati që për buxhetin e vitit që vjen se tani është rishikim por për vitin që vjen të mund të hyjmë të përgatitur dhe të kryejmë obligimin si shoqëri dhe si qeveri ndaj kategorisë në fjalë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se kabineti qeveritar duhet të merret me këtë dhe të ketë një koncept se pse po jepen këto mjete dhe jo vetëm të jenë sponsor financiar.

“Meqë ndahen këto mjete, do të ishte mirë që dikush prej kolegëve ministra, ta merr një rol që përmes këtyre mjeteve ne ta plasojmë dhe brenda dhe jashtë vendit këtë iniciativë. Meqë në të kaluarën ish-presidentja Jahjaga është marrë m një temë të tillë. Është një temë e madhe ndërkombëtare dhe kushdo që këto OJQ që do t’i marrin këto mjete do të duhej si qeveri ta kemi dhe një koncept se pse po i japim këto mjete, çfarë po duam të plasojmë përmes këtyre mjeteve. Nuk di se kush prej kolegëve në kabinet, do të duhej ta marrë një rol apo ju personalisht. Mos të jemi vetëm sponsor financiar të një procesi të tillë, por ta kemi dhe një qasje më politike të mendimeve ideologjike se çfarë po duam të arrijmë me këto mjete”, tha Hoxhaj./KP