Rajon & Botë

NATO: Regjimi i Asadit është “përgjegjës për sulmin amerikan”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi sot lidhur me sulmin me raketa nga SHBA të bazës ajrore ushtarake të forcave të Bashar al-Asadit në Siri, se gjithë përgjegjësinë për këtë hap e ka regjimi sirian..
“Gjithë përgjegjësinë e bart regjimi sirian.

Është i papranueshëm përdorimi i çfarëdo arme kimike, një gjë e tillë nuk mund të mbetet pa përgjigje dhe autorët duhet të përgjigjen”, theksoi Stoltenberg.

Mbështetje SHBA-ve për operacionin kundër bazës së forcave të Asadit në Siri i ofruan Turqia, Britania e Madhe, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian.

Sulmin e dënoi Irani dhe Rusia.Sipas njoftimit të Pentagonit, baza ajrore Shayrat është qëlluar me 59 raketa Tomahawk sot në mëngjes.

Sulmi vijoi me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump, pasi pjesëtarët e regjimit të Asadit të martën kryen sulm me armë kimike në të cilin humbën jetën mbi 100 civilë, prej të cilëve 27 fëmijë.