Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën ka biseduar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin Isa Mustafa, ku shpreh shqetësimin e aleatëve të NATO-s rreth propozimit t֝ë fundit të autoriteteve të Kosovës për të transformuar FSK-në në ushtri pa ndryshimin e Kushtetutës.
“Sot kam folur me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën për të përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s në lidhje me propozimet e fundit nga autoritetet e Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një Forcë të Armatosur, pa bërë ndryshimet e Kushtetutës”, thuhet në deklaratë.
Stoltenberg ka thënë se ua ka bërë të qartë se hapat e tillë të njëanshëm janë të padobishëm dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbeten në kontakt të ngushtë me Beogradin.
“Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si forcë profesionale, duke shtuar multi-etnicitetin në radhët e saj. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë një çështje për institucionet lokale të Kosovës, në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese. Megjithatë, nëse duhet që mandati i FSK-së tani të zhvillohet në mënyrën e propozuar, NATO do të duhet të rishikojë nivelin e saj të angazhimit, sidomos në drejtim të ngritjes së kapaciteteve. Unë e bëra këtë të qartë gjatë vizitës sime në Kosovë në shkurt dhe e kam përsëritur atë në bisedat e mia telefonike sot. Unë do të vazhdoj të mbes në kontakt të ngushtë me homologët e mi në BE për këtë çështje”, ka thënë Stoltenberg.