Rajon & Botë

NATO-ja: Batalionet që kanë rrethuar Rusinë gati të sulmojnë

Katër batalione ndërkombëtare të stacionuara në Evropën Lindore tashmë janë të gatshme t’i përgjigjen çdo agresioni rus, njoftuan ministrat e Mbrojtjes së tetë vendeve anëtare të NATO-s. Gjermania, Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Kanadaja aktualisht drejtojnë katër grupe ushtarake multinacionale në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Dislokimi i tyre u vendos nga liderët e NATO-s gjatë një samiti në Varshavë në korrikun e 2016, në kuadër të një forcimi më të madh të mbrojtjes kolektive vendosur pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ofensivës së rebelëve separatistë prorusë në lindje të Ukrainës në 2014.

“Këto batalione demonstrojnë një përgjigje direkte ndaj veprimeve agresive të Rusisë, përfshirë veprimtari provokuese ushtarake në periferi të territorit të NATO-s, që përkeqësuan ndjeshëm stabilitetin dhe sigurinë, rritën paparashikueshmërinë dhe ndryshuan rrethin e sigurisë”, theksuan në një deklaratë të përbashkët Britania e Madhe, SHBA, Kanada dhe Gjermania, duke mbështetur stafin drejtues si dhe Poloninë, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, vendet mikpritëse.

Në samitin e vitit të kaluar të NATO-s në Varshavë, aleanca vendosi të dërgojë forca në vendet në kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Një pjesë e konsiderueshme e trupave të NATO-s kanë arritur në Lituani afër enklavës ruse të Kaliningradit, raporton “AP”.

Më shumë se 100 ushtarë belgë dhe qindra mjete ushtarake ndodhen në Klaipeda, e cila është rreth 60 kilometra larg nga Kaliningradi, ku Rusia ka një bazë detare dhe sistem shumë të gjerë raketash.