Mihrije Braha dhe Naim Abazi kanë më shumë se 20 vite të dashuruar dhe sërish nuk i ngopen njëri-tjetrit. Të ftuar tek emisioni i Rudina Magjistarit, dy artistët nga Kosova kanë folur për jetën e tyre bashkë dhe historinë e dashurisë plot entuziazëm, duke ndarë edhe disa sekrete të vogla me publikun, që është gjithnjë kurioz të mësojë rreth marrëdhënies së tyre, dhe çifti këtë e ka kuptuar shumë mirë.
E pyetur se si janë njohur për herë të parë, Mihrija tregoi në studio se Naimi ishte idhulli i saj. Ishte rritur duke dëgjuar këngët e tij në radio, dhe siç tregoi, ‘ishte dashuruar me zërin etj’, pasi asnjëherë nuk e kishte parë. Por duke qenë se këngëtarja jetonte në Mitrovicë dhe ai në Prishtinë, gjithçka mund të bënte ishte ta adhuronte nga frekuencat e radios.
Deri ditën kur e takoi në Prishtinë dhe pastaj dolën sërish në takimin e dytë dhe në të tretin, por Mihrija nuk e dinte që kishte përballë Naim Abazin e famshëm. Pasi e mësoi, pa dyshimin më të vogël, ‘hodhi grepin’ për ta kapur! “Unë isha gati, po isha nga ato femrat me karakter,” tregon këngëtarja duke lënë të kuptohet që Naimi duhet të bënte punën e tij për ta bërë për vete.
“Goxha përpjekje, tentativa të miat për të rënë në sy,” tregon Naimi ‘peripecitë’ për të fituar zemrën e Mihrijes, derisa patën puthjen e parë. “Gjatë një turi në Kosovë, një natë kur po e përcillja për në banesë, nga ora 4 e mëngjesit u puthëm.”
Dhe kaq ishte. Pastaj dyshja bashkëjetoi për 7 vite, gjë që shumë pak çifte e bënin në atë kohë dhe në ‘92-shin kurorëzuan dashurinë në martesë. Janë prindër të një djali dhe të pyetur rreth sekretit të një martese jetëgjatë, njëzëri thanë se është ‘dashuria, përkushtimi, besimi dhe pozitiviteti’.