Ekonomi

Naftëtarët ta përfundojnë radikalizmin sa më parë

Naftëtarët janë pajtuar sot njëzëri për gatishmërinë e tyre për përfundimin e procesit të rifiskalizimit, meqë sipas tyre është arritur të thyhet monopoli i tregut të pajisjeve fiskale.

Kështu u tha në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së Naftëtarëve.

Kryetari i kësaj Shoqate, Fadil Berjani theksoi se pas tri viteve angazhim është arritur me sukses të ulen çmimet e arkave fiskale prej 18 mijë e 500 euro në 4 mijë. Ai tha se asnjëherë nuk kanë qenë kundër fiskalizimit, por për çmimet e larta të pajisjeve fiskale. Berjani apeloi tek të gjithë operatorët e derivateve që ta përfundojnë sa më parë këtë proces.

 

“Qe tri vite jemi duke shtyrë lidhur me këtë problem, ne asnjë herë s’kemi qenë kundër rifiskalizimit, andaj, kjo është duke treguar edhe nga operatori, i cili ka liruar çmimet dhe hyrja e operatorit në treg, ku dihet se prej 18 mijë e 500, ne kemi arrite ta zbresim në 4 mijë euro… Unë apeloj se rifiskalzimi duhet të përfundon sa më parë”, tha Berjani.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se bizneset të cilat ndikojnë në buxhet, punësim dhe mirëqenie sociale duhet trajtuar seriozisht nga shteti, duke krijuar një klimë më të favorshme për biznese. Sipas tij, rënia e çmimit të pajisjeve fiskale për naftëtarët ka një rëndësi të madhe, sepse naftëtarët do të jenë kontribuues të shtetit me anë të rifiskalizimit.

Ai tha se shpeshherë ka qenë zë kritik ndaj Qeverisë, duke kërkuar stimulime më të mëdha për bizneset. Gërxhaliu kërkon nga institucionet e shtetit që të ndikojnë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, në mënyrë që edhe shteti të jetë përfitues.

 

“Është arritur pas një kohe të gjatë një fitore e madhe që nga një taborë i etiketimit Shoqata e Naftëtarëve është pjesë e proceseve. Vet fakti që kemi ardhur deri te kjo ulje e çmimeve që është mundi i angazhimeve të tyre, dhe vet fakti që për tri javë e kemi një numër rekord të rifiskalizimit, ku më tepër se 180 kompani janë në këtë proces… është kontributi më i madh që mund ta bëni për veti, por edhe për shtetin i cili është në konsolidim. Ajo çka është më interesante të thuhet se si OEK se vërtet kemi qenë një zë kritik sa i përket proceseve ekonomike”, theksoi Gërxhaliu.

Naftëtari Ramadan Maloku, duke folur rreth kësaj teme tha se e vërteta vonon, por dikur del në shesh, andaj sipas tij, ai monopol që ishte deri pak ditë më parë nga kompania e vetme “Gekos” duhet të hetohet nga institucionet përkatëse, meqë sipas tij, kanë qenë të dëmtuar. Ai tha se rifiskalizimi me këto çmime të reja duhet të përfundojë.

 

“Për tri vjet operatori që ka qenë në treg ka shfrytëzuar çmimin e monopolit, por për këtë kisha pasur një kërkesë për shënime zyrtare, për një inspektim financiar. Të hetohet dhe kompania që ka shfrytëzuar këtë vakum… Kisha pas një kërkesë që në të ardhmen të kryhet një monitorim nga Qeveria që mos të keqpërdoret mungesa e operatorëve të tjerë”, tha Maloku.

Naftëtarët morën mbështetjen edhe nga deputetë të Kuvendit, ku sipas anëtarit të komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca, si komision janë të angazhuar që të nxjerrin një ligj i cili rregullon fushën e tregut të derivateve në Kosovë, si për nga cilësia, fiskalizim dhe të tjera.

 

“Ju siguroi se Komisioni për Zhvillimin është shumë i interesuar që këtë fushë ta rregulloj një herë e përgjithmonë me ligj, konform legjislacionit që është në fuqi dhe konform praktikave që kanë vendet tjera në regjion dhe në vendet e BE-së”, the deputeti Grainca.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, duke folur për tenderamoninë nga ana e institucioneve të Kosovës me operatorët e naftës, tha se kjo çështje është duke u rregulluar që të jetë më transparent dhe të mos fitojnë tender çdoherë të njëjtat kompani. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka qenë dhe është e interesuar ta thyej monopolin në çdo fushë.

Po ashtu, Krasniqi foli edhe për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm, që sipas tij pritet të jetë 4.4 përqind.

 

“Këto dy vitet e fundit kemi një rritje 3.8 deri 4 përqind, ndërsa, në vitin tjetër planifikojmë me pasur një rritje ekonomike 4.4 përqind, kjo më e madhe se që kemi pasur në vitet e kaluara, dhe jo duke i rritur taksat dhe jo duke i dënuar ose duke kërkuar prej bizneseve që të paguajnë më shumë, por kryesisht qëllimi ynë është që të gjithë të paguajmë, duke paguar të gjithë ne arrimë me pasur më shumë të hyra buxhetore”, tha Krasniqi.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve vuri në pah se tenderët nga institucionet e shtetit për furnim me derivate duhet të bëhet në shumë llote, jo vetëm kontrata me një operatorë të derivateve.

Naftëtarët kanë diskutuar edhe për udhëzimin Administrativ për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, ku sipas drejtuesve të kësaj shoqate, naftëtarët po vazhdojnë të injorohen nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për harmonizimin e Udhëzimit në fjalë./KP