Aktuale

Naftëtarët i gëzohen uljes së çmimit të pajisjeve fiskale

Naftëtarët janë pajtuar sot njëzëri për gatishmërinë e tyre për procesin e fillimit të rifiskalizimit nga ky vit, meqë sipas tyre është arritur të thyhet monopoli i tregut të pajisjeve fiskale.

Kështu u tha në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së Naftëtarëve.

Kryetari i kësaj Shoqate, Fadil Berjani theksoi se pas tri viteve angazhim është arritur me sukses të ulen çmimet e arkave fiskale prej 18 mijë e 500 euro në 4 mijë.

Ne asnjë herë nuk kemi qenë kundër fiskalizimit, por çmimet larta na kanë detyruar të mos I blejmë ato pajisje. Andaj, ne pas këtij liberalizimi të tregut ta përfundojmë sa më parë rifiskalizimin”, tha Berjani.

Kurse, kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu vlerësoi se rënia e çmimit të pajisjeve fiskale për naftëtarët ka një rëndësi të madhe, sepse naftëtarët do të jenë kontribuues të shtetit me anë të rifiskalizimit.

Ai tha se shpeshherë ka qenë zë kritik ndaj Qeverisë, duke kërkuar stimulime më të mëdha për bizneset.

Gërxhaliu kërkon nga institucionet e shtetit që të ndikojnë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, në mënyrë që edhe shteti të jetë përfitues.

Naftëtari Ramadan Maloku, duke folur rreth kësaj teme tha se e vërteta vonon, por dikur del në shesh, andaj sipas tij, ai monopol që ishte deri pak ditë më parë duhet të hetohet nga institucionet përkatëse, meqë sipas tij, kanë qenë të dëmtuar.

Ai tha se rifiskalizimi me këto çmime të reja duhet të përfundojë. Naftëtarët morën mbështetjen edhe nga deputetë të Kuvendit, ku sipas anëtarit të komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca, si komision janë të angazhuar që të nxjerrin një ligj i cili rregullon fushën e tregut të derivateve në Kosovë, si për nga cilësia, fiskalizimi dhe të tjera./KosovaPress/