Rajon & Botë

Nacionalizmi po e shton sasinë e lajmeve të rreme në Indi

Rritja e nivelit të nacionalizmit po i nxit qytetarët e zakonshëm që të shpërndajnë lajme të rreme në Indi, sipas një hulumtimi të BBC-së. Hulumtimi tregoi se për disa njerëz, e vërteta është më pak e rëndësishme sesa dëshira për ta përkrahur identitetin kombëtar.

Analiza e rrjeteve sociale tregoi se aktivistët e krahut të djathë janë shumë më të organizuar sesa aktivistët e krahut të majtë, duke bërë që lajmet e rreme nacionaliste të përhapen gjithandej. Përpos këtij dallimi, u zbulua se ekzistonte edhe një dallim mes burimeve të lajmeve të rreme në Twitter, në krahasim me rrjetet që e përkrahin kryeministrin Narendra Modi.

Këto gjetje erdhën si rezultat i hulumtimeve të zgjeruara në Indi, Kenia dhe Nigeri për atë se si qytetarët e rëndomtë angazhohen në shpërndarjen e lajmeve të rreme. Pjesëmarrësit e këtij hulumtimi i ofruan BBC-së qasje në telefonat e tyre përgjatë një periudhe kohore prej shtatë ditësh, duke ua mundësuar hulumtuesve që t’i analizojnë materialet që ata i shpërndanin, personat me të cilët i shpërndanin dhe sa shpesh i shpërndanin ato.

Ky hulumtim është bërë në vazhdën e një cikli raportimesh dhe emisionesh për temën e lajmeve të rreme dhe mënyrën se si ato po ndikojnë në jetën e njerëzve në mbarë botën. Siç ka raportuar Gazeta Express disa ditë më parë, pjesë e këtij hulumtimi të BBC-së ishte edhe Kosova. Përndryshe, shpërndarja e lajmeve të rreme përmes aplikacionit “WhatsApp” në Indi ka shkaktuar dhunë, pasi u shpërndanë lajme të rreme për rrëmbyes të fëmijëve.

Bazuar në të dhënat e këtij hulumtimi, dukuria e shpërndarjes së lajmeve të rreme në Indi është rritur gjatë vitit 2018. Pjesë e hulumtimit ishte edhe numri i komenteve në Facebook, lloji i fotografive të publikuara dhe publikuesit e tyre. Gjendje më e mirë nuk është as në Kenia dhe Nigeri, ku lajmet e rreme lidhen më tepër me të hollat, teknologjinë dhe lajmet për rreziqet shëndetësore. Këtij hulumtimi iu nënshtruan rreth 16 mijë llogari në Twitter dhe 3 mijë llogari në Facebook, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli