Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se për fat të keq Kosovën po e qeverisin kreatorët e izolimit të Kosovës, e cila po diktohet nga Qeveria e Beogradit nëpërmjet Listës Serbe, andaj duhet të jetë e shkurtër.
Mustafa këto komente i bëri gjatë takimit me kandidatët për kryetarë dhe kandidatët për Asamble të të gjitha komunave të Kosovës nga subjekti i tij.
Në takim morën pjesë 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe mbi 900 kandidatë për Asamble Komunale.
Ai tha se LDK qeverisë më së miri, pa korrupsion, me njerëz më të përgatitur për të qeverisur komunat dhe për të qeverisur vendin.
“Ne me këto zgjedhje do të vendosim se sa gjatë mund të qeveriset vendi nga një qeveri prej 22 subjekteve politike, e ndërtuar me pazare më të ulëta dhe e varur për çdo vendim e për çdo ligj nga vota e Listës Serbe që diktohet nga institucionet më të larta të Serbisë… Flas për një Listë e cila edhe publikisht deklarohet se vendimet i merr ashtu siç e dikton dhe urdhëron Beogradi. Dhe ne nuk duhet të lejojmë që vendi të qeveriset gjatë pa shumicën shqiptare në Parlament dhe Qeveria jonë të mbetet në mëshirën e Serbisë. Të qeveriset nga ata që u shërbyen me kauza të rrejshme dhe me dhunë nga ata që iu dorëzuan dhunës dhe kauzave të rrejshme, nga rezultatet dhe pa përgjegjësia e tyre që treguan. Prandaj unë konsideroj se LDK duhet të fitojë dhe të del e para në këto zgjedhje”, theksoi kryetari i LDK-së.
Ai tha se është i bindur se kandidatët e LDK-së për kryetarë dhe këshilltarë do të ofrojnë ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, LDK-ja nuk është parti që krijon kompani publike për punësime, por do të krijojë ambient të favorshëm për zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës. Për këtë Mustafa është shumë i bindur se më 22 tetor do të kremtojmë fitoren e LDK për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunal.
“Unë ju siguroi se ne mund të fitojmë dhe pse konsiderojë se mund të fitojmë? Sepse kemi një organizim të shtrirë në tërë Kosovën, kemi një strukturë mirë të organizuar të LDK-së, kemi përvoja dhe dije për të zhvilluar zgjedhjet lokale dhe për të komunikuar me qytetarët tanë. Sepse jemi parti me vlera tradicionale me përfshirje të të gjitha gjeneratave, me program të qendrës së djathtë. Jemi parti po ashtu që ka ruajtur anëtarësinë, jemi treguar e qëndrueshme dhe fleksibile ndaj ndryshimeve jo vetëm në Ballkan por edhe në BE. Sepse LDK-ja ju ka përmbajtur zotimeve të saja në fushatë, se nuk bëjmë koalicion me PDK-në, pasi shkelën marrëveshjen qeverisjes dhe nuk bëjmë koalicion me atë që ushtruan dhunë pa u distancuar nga dhuna dhe nga akuzat e rrejshme. Prandaj, edhe sot ju them se Vetëvendosje nuk është më e organizuar se LDK-ja, nuk është më e madhe se LDK-ja. Vetëvendosja shërbehet me propagandë ekstreme të majtë me politika popullsite. Po ashtu PDK nuk vazhdon të jetë më e madhe se LDK-ja”, tha Mustafa.
Kreu i LDK-së tha se se në LDK ekziston një dukuri e keqe, një dobësi që po e përcjellë gjatë, e cila është mungesa e solidaritetit të brendshëm dhe mungesa e punës së përkatësisë ekipore dhe individualizmit tepër të shprehur, i cili nganjëherë kapërcen edhe mbi partinë. Prandaj, Mustafa tha se ajo çfarë duhet bërë është angazhimi dhe puna për LDK-në dhe jo për interesa personale dhe individuale.
LDK në mandatin e fundit ka udhëhequr me nëntë komuna, Gjilan, Ferizaj, Podujevë, Suharekë, Pejë, Fushë Kosovë, Istog dhe Lipjan dhe Viti./kp