Aktuale

Mustafa: As unë dhe as LDK-ja nuk i frikohemi asnjë mocioni

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Ferizaj, ku ka thënë se LDK përderisa është unike nuk i frikësohet asnjë mocioni.

Ai tha se siç janë kështu edhe nëse zgjedhjet mbahen sonte do të fitojnë.“Në asnjë rast as unë, as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i frikohemi asnjë mocioni të tjerëve, as të opozitës, as të tjerëve. Ne duhet t’i frikësohemi mocionit tonë, sepse ne në LDK duhet të jemi unik, në qoftë se ne nuk jemi unik në LDK, a kjo nuk guxon të ndodhë në asnjë rast, atëherë ne nuk kemi çka të shqetësohemi prej asnjë kërkese, prej asnjë iniciative politike sepse kështu siç jemi edhe sonte në dalshim në zgjedhje kemi me i mujtë”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se duhet të marrin vendime për të bërë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Mustafa tha se e kanë marrë përgjegjësin për zhvillim ekonomik dhe kanë arritur që në këtë qeverisje të kenë normën më të lartë të zhvillimit ekonomik në rajon.

Ndërsa, Muharrem Sfarqa, kryetari i Komunës së Ferizajt dhe kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, tha se kjo parti ka përmbushur objektivat më madhore për popullin e Kosovës.

Kryetari Sfarqa prezntoj edhe disa të arritura të komunës të cilën e drejton, ku tha se LDK i pret zgjedhjet lokale më e përgatitur se kurrë më parë.
Në nderim të punës në kuadër të LDK-së janë ndarë edhe disa mirënjohje. Po ashtu, janë ndarë edhe libreza për anëtarët e rinjë që i janë bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës./KosovaPress/