Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim përfaqësues të shoqërisë civile të komunitetit serb në Kosovë. Mustafa takohet me përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm ministrja Edita Tahiri dhe zëvendësministrat Bajram Gecaj e Valon Murtezaj, si dhe përfaqësuesit e Këshillit për Qeverisje Përfshirëse, u trajtuan çështje të ndryshme që lidhen me komunitetin serb dhe angazhimet e organizatave të shoqërisë civile të këtij komuniteti, bën të ditur një komunikatë qeveritare.
Mustafa ka theksuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për përfshirje më të madhe të shoqërisë civile të të gjitha komuniteteve pakicë, në zhvillimet politike, ekonomike, sociale e në aspekte të tjera në shtetin e Kosovës.
Mustafa, po ashtu, tha se Qeveria e Kosovës është plotësisht e hapur për bashkëpunim me shoqërinë civile të komunitetit serb në Kosovë në adresimin e çështjeve me interes për qytetarët.