Kohët po ndryshojnë. Kështu e nis shënimin e tij në facebook, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili nga njëra anë thotë se vendi ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon, e nga ana tjetër flet për fondet që Kosova duhet të shfrytëzoj si vend i varfër!
Duke thënë se kemi arritur tashmë identitetin tonë, i pari i Qeverisë shkruan se si Kosova ka arritur normën më të lartë ekonomike në këtë pjesë të botës.
Sipas Mustafës, porosia që ka marrë nga institucionet financiare ndërkombëtare është që Ksoova të shfrytëzojë sa më parë fondet e organizatave ndërkombëtare, që financojnë vendet e varfëra.
Ja statusi i plotë i kryeministrit Mustafa:
Kohët po ndryshojnë. Jo moti, identitetin tonë e krijuam si të persekutuar, të shtypur, të varfër e të papunë. Sot, jemi shtet sovran, me normën më të lartë të rritjes ekonomike në këtë pjesë të botës, me një dinamikë të shpejtë të uljes së papunësisë. Institucionet financiare ndërkombëtare po na porosisin të ngutemi të shfrytëzojmë fondet nga organizatat ndërkombëtare që financojnë vendet e varfëra, sepse së shpejti nuk do ta plotësojmë këtë kriter, Kosova nuk do të konsiderohet vend i varfër. Një cilësim më pak në fjalorin tonë politik; një argument më shumë për pozitivizëm. IM