Aktuale

Mustafa: Territori i Kosovës duhet të matet para 25 gushtit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në takimin e parë të komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, ka deklaruar se Qeveria nuk do të jap udhëzimet se si do të punojë komisioni por është ky i fundit do të caktojë kriteret dhe teknikat për matjen e territorit. Ai sqaroi se raporti përfundimtar i komisionit do të miratohet në Qeveri.

Mustafa tha se detyrë e komisionit është ta bëjë matjen e territorit para datës 25 gusht për të përcaktuar saktësinë e territorit.

“Ne do ta mbështesim në mënyrë logjistike punën e komisionit. Qytetarët janë të interesuar ta dinë sa është territori, edhe BE duhet ta dijë cili është territori i Kosovës, e shtetit që kanë njohur ndërkombëtarisht, prandaj është mirë që mos të krijohet konfuzion dhe të sqarohen gjërat edhe për ata që kanë pasur mendime të ndryshme, edhe për qytetarët që të sqarohen, ta kemi një përgjigje të saktë e cila është e dobishme për të gjithë, për Kuvendin, Qeverinë, institucionet e vendit dhe komunikimet tona, për faktorin ndërkombëtar. Kisha propozuar në emër të Qeverisë që kryetari i Akademisë, Hyvzi Islamin ta drejtojë punën e këtij komisioni, prej këtij momenti ne e lëmë në kompetencën tuaj. Si Qeveri e marrim obligim që të gjitha adresimet, dokumentacionet që iu nevojitet të iu sigurojmë”, tha ai.

Ai shpjegoi se në komision janë përfshirë përfaqësues të institucioneve të shtetit, kryetarët e katër komunave që përkufizohen me Malin e Zi, përfaqësues të shoqërisë civile.

“kemi lut përfaqësuesit ndërkombëtar që të ketë vëzhgues ndërkombëtar nga SHBA, BE dhe KFOR-i. Qeveria nuk e ka marrë përsipër që të caktoj anëtaret e komisionit por vetëm organizatat që të dërgojnë ekspert në komision. Nga Akademia e Shkencave, Hyvzi Islami, nga grupi për ballkan, Jeton Rexha, nga Agjencioni i Kadastrit, nga KOSST, Besim Gerxhali, nga AKP, Agron Luta, nga policia, Kamer Jonuzaj, nga ASK, Idriz Shala, kryetaret e komunës së Pejës, Deçanit, Istogut dhe Junikut, dhe dy përfaqësues të caktuar nga Peja, Ali Lajqi dhe Rrustem Selimi”, THA Mustafa./KP