Aktuale

Mustafa: Të mos lejojmë abuzimin me paranë publike

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur, ka marrë vendim që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi. Kryeministri i vendit Isa Mustafa i cili e bërë këtë propozim para kabinetit qeveritar, tha se edhe pse kjo nuk është paraparë me ligjin për festat shtetërore, qytetarët duhet të pushojnë dhe ta shënojnë këtë ditë.

 

“Ditën e hënë e kemi festë kombëtare, që nuk është e  paraparë si festë shtetërore me ligjin për festat shtetërore. Por është ditë e shënuar për ne dhe kisha me iu propozu si Qeveri që të marrim vendim që atë ditë të pushohet dhe t’i mundësojmë që qytetarët ta shënojnë këtë ditë”, tha ai..

Ndërkaq duke folur për  takimin e  mbajtur të Këshillit Kombëtar kundër korrupsionit, Mustafa tha se duhet të punohet më shumë për mbylljen e mundësisë së korrupsionit dhe abuzimit me paranë publike.

 

“Ajo çka neve na mbetet  është që të punojmë më shumë, në fushën e  mbylljes së gjitha mundësive tek prokurimi publik, që të ketë qoftë hapësira korruptive, qoftë ato deformimet të këtij procesi dhe të keq shfrytëzimit të parasë publike. Unë e kam hap dhe më parë këtë dukuri në qeveri, që kontratat të orientohen në numër të kufizuar të firmave dhe dukuritë e tjera duhet ti tejkalojmë. Duhet të kemi kujdes në të gjitha ministritë, që të mos lejojmë. Është mirë që ne t’i bëjmë transparente të gjitha kontratat që i kemi lidh për opinionin dhe shumat e kontratave dhe firmat, me të cilat i kemi lidhur ato kontrata, në mënyrë që ato të jenë transparente.. Të shohim nëse ka deformime a janë ato që janë nëpër ministri, apo bëhen  në rrugë, duke përfshirë dhe organin shqyrtues të prokurimit. Sepse duhet në këtë rrafsh t’i shikojmë të gjitha relacionet për të mbyllur çdo mundësi që të abuzohet me paranë publike”, tha ai.

Ndërsa zëvendës  ministri Valon Murtezaj prezantoi para kabinetit qeveritar, dokumentin lidhur me qëndrimet nacionale, sa i përket takimit të parë, që do te mbahet nga Këshilli për Stabilizim dhe Asociim në Bruksel me 25 nëntor.

Murtezaj tha se Qeveria është plotësisht e përkushtuar në zbatimin  e suksesshëm të reformave,  që kërkohen në kuadër të MSA- së. Ai tha se janë të vetëdijshëm që këto reforma do të jenë të vështira dhe do të marrin kohë dhe në intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit të gjithmbarshëm me BE në. Qeveria e Kosovës sipas tij mbetet e përkushtuar në zbatimin e MSA së dhe do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme institucionale, për të siguruar rrugën e Kosovës drejtë BE-së.

 

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e mirëpret takimin  e parë të këshillit të Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës. Në te njëjtën kohë Republika e Kosovës, e njeh rëndësinë historike të këtij takimi të nivelit më të lartë, nën marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet dy palëve. Qeveria e Kosovës e thekson edhe njëherë bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës, të qytetarëve të saj se e ardhmja   e tyre është në BE. Me marrëveshjen e stabilizim asociimit tani më e kemi një kornizë të qartë për përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Këshilli Evropian. Tani më është e qartë, ambicia e institucioneve të Republikës së Kosovës, që të kemi përfitimin e plotë nga shkëmbimet në kuadër të kësaj kornize, për të avancuar në procesin e aderimit dhe anëtarësimit në BE”, tha ai.

Ndërkaq  ministrja për dialog Edita Tahiri i njoftoi kabinetin qeveritar, lidhur me marrëveshjen për kodin telefonik 383 për Kosovën. Tahiri tha se tashmë është e sigurtë se Kosova do të bëhet me kodin e vet shtetëror telefonik 383, të cilin pritet ta marrë me 15 dhjetor 2015.  Ndërsa tha se përfitimet nga marrja e kodit për Kosovën do të jenë të mëdha dhe në aspektin ekonomik, pasi që përfitimet do të jenë milionëshe. Kjo marrëveshje po ashtu sipas Tahirit, do t’i jap fund operatorëve ilegalë, të cilët kanë operuar që nga përfundimi i luftës.

 

“Tashmë është e sigurte që Kosova do të bëhet me kodin e vet telefonik shtetëror 383, të cilën do të ia ndajë ITU në mënyre të drejtpërdrejte dhe se kjo do të ndodh me 15 dhjetor 2016. Përfitimet që shteti ynë do tu ketë nga marrja e kodit telefonik nga ITU, do te jenë si ne vijim. Republika e Kosovës, krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet dhe identifikohet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror 383. Me zbatimin e kodit  të ri për Kosovën, do të shuhen tre kodet ekzistuese 381, 377 dhe 386. Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe është sovrane për qeverisjen e kodit n mënyrë të pavarur. Kosova do të administrojë me kodin e vet si dhe do të bashkëpunoj direkt me organizatën e OKB së ITU për procesin e zbatimit teknik të këtij kodi. Po ashtu me këtë rast vendoset kufiri frekuencor mes sy shteteve Koso vës dhe  Serbisë”, tha Tahiri.

Ndryshe, qeveria në mbledhjen e mbajtur,  ka miratuar propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të vitit 2016, të Qeverisë së Kosovës, Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve te vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

Qeveria po ashtu  miratoi dhe Projektligjin për automjete, projekt rregulloren për organizim të brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Financave, propozim vendimin për bartjen e Agjencisë shtetërore të arkivave të Kosovës nga zyra e kryeministrit, në ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit si dhe propozim vendimin për themelimi e grupit për rishikimin funksional për sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë./KP