Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që fletarrestet serbe për qytetarët e Kosovës janë plotësisht të paligjshme, janë të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se flet arrestet serbe për qytetarët e Republikës së Kosovës janë plotësisht të paligjshme, janë të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe proceset më gjerë”, tha ai.
Gjithashtu, Mustafa tha se të gjitha dikasteret kompetent të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn.
“Po ashtu dëshiroj t’iu njoftoj se me të kuptuar lajmin për ndalimin e zotit Haradinaj gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim dhe janë angazhuar me përkushtim të plotë për të kontribuar në çdo formë në lirim sa më të shpejtë të z. Haradinaj në mënyrë që ai sa më shpejt të kthehet në Kosovë”, tha Mustafa./KosovaPress/