Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ishte një ndër personalitetet e shumtë që morën pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku në Vatikan. Pas ceremonisë Mustafa shprehu nderime që ishte pjesë e kësaj ceremonie dhe shtoi më tej se shqiptarët tashmë e kanë shenjtoren e tyre që do ti prijë në përsosjen e vlerave shpirtërore, shkruan Gazeta Express.
Kryeministri theksoi se jeta dhe vepra e jashtëzakonshme e Shën Terezës në shërbim të njerëzimit, u nderua nga qindra mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Shqiptarët tashmë e kanë shenjtoren e tyre e cila do të vazhdojë të na prijë në përsosjen e vlerave shpirtërore, morale e humane. Bota mbarë ka simbolin e shenjtë të dashurisë, besimit, humanizmit, vetëmohimit.” ka shtuar Mustafa.