Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar koalicionin qeverisës, duke thënë se pavarësisht rritjes ekonomike, është tejet lajm i keq humbja e mijëra vendeve të punës vetëm gjatë vitit 2018.
“Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi! Në Kosovë, në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte”, ka thënë Mustafa.
Ai me tutje ka shtuar se institucionet janë të preokupuara me politika populliste, por jo edhe për problematiken jetike të të rinjve dhe punësimin e tyre.
“Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populliste, në stilin “kush është më i forti” dhe “kush kujtë”; kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjëve. Papunësinë dhe punësimin e tyre. Koalicioni qeverisës as nuk po di as nuk po don!”, ka theksuar”, ka shtuar ai. /FaktePlus