Megjithëse anëtarë të Listës serbe kanë pohuar se pa u bërë dekreti qeveritar për Asociacionin, ata nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës, kryeministri, Isa Mustafa thotë se nuk do të ketë dekret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe se nuk do të bëhen pazare për çështje të tilla.
Ai ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi, ku tha se do ta dërgojnë në Kuvend por fillimisht duhet t’i sigurojnë votat.
“Nuk do të ketë dekret qeveritar sepse ne do të punojmë sipas vendimit të Gjykatës së Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese parasheh hartimin e statutit të asociacionit, i cili do të jetë tërësisht në përputhje me rekomandimet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Statuti nuk mund të hartohet, përderisa serbet të mos jenë në qeveri dhe parlament. Ata duhet të jenë pjesë e saj. .. Nuk kemi dëgjuar dhe as nuk pranojmë asnjë kusht prej askujt sepse asociacioni nuk themelohet me kushte. Asociacioni është çështje e marrëveshjes dhe është çështje e vendimit të Gjykatës Kushtetuese…. Nuk është një çështje të cilën ne mund ta shfrytëzojmë për kushtëzime ose pazare politike sepse është çështje shumë serioze, e cila nuk ka të bëjë me atë se a kthehet dikush apo nuk kthehet në kuvend. Kthimi i tyre është përgjegjësi e tyre për votën që e kanë marrë prej qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ndërkaq institucionet e bëjnë punën sipas ligjit dhe kushtetutës”, tha ai.
Mustafa thotë se nuk ka hequr dorë nga ri-procedimi i demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, por se duhet t’i sigurojnë votat.
“Unë nuk kam heq dorë, por po bëjë përpjekje dhe po shoh shumë arsye, që të gjithë ne të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje për demarkacionin. Sepse është humbje shumë e madhe për qytetarët e Kosovës dhe për vendin….Prandaj edhe përmes jush do ta lutësha dhe njëherë dhe opozitën dhe të gjithë deputetët që deri më sot kanë bërë vërejtje që të gjejmë forcën, të gjejmë argumentin, të gjejmë arsyen sepse flitet për interesa të Kosovës. Jo për agjenda personale ose partiake dhe ta bëjmë këtë. Nuk shoh asnjë arsye që ne të shkojmë me një ligj në kuvend, duke ditur përpara se ka kundërshtime ose se nuk mund të arrihet votat. Sepse tani edhe me të qenit jashtë listës serbe, përkohësisht jashtë Kuvendit dhe me deklaratën e tyre se nuk do ta votojnë, ne duhet të mobilizohemi dhe ta gjejmë arsyen që t’i sigurojmë votat”, tha ai.
Ai këto komente i bëri pas një takimi që pati me përfaqësues të shoqërisë civile, për të cilët tha se duhet të inkuadrohen më shumë në proceset e rëndësishme që po kalon Kosova. /KP