Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se kur erdhi në krye të Qeverisë, e gjeti të përfunduar punën e komisionit për demarkacion.
“Komisioni ka filluar punën në mars 2012, ka punuar nga kjo kohë deri në vitin 2015. Kur unë kam ardhur në krye të Qeverisë, e kam gjetur punën pothuajse krejtësisht të përfunduar”, tha Mustafa gjatë debatit të sotëm në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri kështu iu përgjigj pyetjes së deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila e pyeti Mustafën se në cilin vit filloi punën komisioni për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Në qershor 2015 komisioni ka deklaruar që ka përfunduar tërësisht punën dhe se nuk i ka mbetur asgjë e pakryer”, tha më tutje Mustafa, raporton “Kallxo”.
Haxhiu më tutje, duke mos u pajtuar me vijën kufitare të përcaktuar me marrëveshjen e 26 gushtit 2015 për vijën kufitare me Malin e Zi, foli për dy atlase gjeografike që tha se këtë vijë kufitare e përcaktojnë në Kullë e Çakorr.
“Para vetes kam dy atlase gjeografike, me autor Murat Meha, atlas i ribotuar 4 herë, së fundi në maj 2015. Aty thuhet se kufiri është në Çakorr e Kullë, aty ku thotë edhe opozita”, tha Haxhiu.
Por Mustafa deklaroi se këto atlase nuk janë punë e tij.
“Unë s’jam redaktor i atlaseve, e s’merrem me ta. Ata që i kanë publiku i kanë përgjegjësitë për autorësi”, tha Mustafa.
Mustafa vazhdimisht ka bërë thirrje që të votohet marrëveshja e demarkacionit.