Aktuale

Mustafa: Serbia duhet t’i hap dosjet për gjetjen e të zhdukurve

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa e ka quajtur moment të vështirë të shprehet për të zhdukurit që edhe 18 vite pas luftës vazhdon të mos dihet fati i tyre.

Kreu i Qeverisë pas homazheve tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur, në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, theksoi se familjet e të zhdukurve vazhdojnë të jetojnë në ankth.

Kreu i ekzekutivit theksoi se qeveria e Kosovës do të vazhdoj përkrahjen për familjet e personave të pagjetur për zbardhjen e fatit të edhe mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Derisa ka kërkuar nga Serbia që t’i hap dosjet në mënyrë që të gjenden të gjithë të zhdukurit.

“Është një moment ku është vështirë njeriu edhe të shprehet, është fjala për të pagjeturit tanë, njerëzit që i presin familjet e tyre, për ankthin që akoma po jeton të familja, të prindërit, tek të afërmit e atyre që akoma nuk u gjetën gjatë këtyre shumë viteve. Ajo që unë mund të them si kryeministër është që Qeveria është mundur dhe duhet të mundohet të bëjë çdo gjë që të zbardhet fati i të pagjeturve, që t’iu ndihmohet familjeve, që të bëhet çdo gjë edhe në Bruksel edhe në kontakte tjera me partnerët tanë ndërkombëtarë që të detyrohet Serbia t’i hap të gjitha dosjet dhe gjithë arkivat në mënyrë që të merren informata të caktuara për t’u identifikuar se ku janë njerëzit tanë që për këtë periudhë kohore akoma nuk u identifikuan se ku janë”, tha Mustafa.

Ndërsa, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Bajram Çerkini, duke falënderuar krerët e institucioneve për kujdesin e treguar, ka kërkuar nga ta që të vazhdojnë përkrahjen në zbardhjen e fatit të me të dashurve të tyre.

“Ne familjarët të them të vërtetën këto ditë jemi pak të relaksuar për shkak të gjendjes që kemi në Kosovë po na përkrahin njerëzit me të vërtetë njerëzit që po na udhëheqin, por po harrojnë ato për me na u bashkëngjit në ankthin e ne familjarëve. Nuk është pak të dal një kryeministër, nuk është pak të vjen ushtria, nuk është pak të vijnë edhe politikan tjerë që e kanë treguar vetën se janë ende të fortë, janë ende të shkohet përpara dhe premtimet e tyre ishalla realizohen në të ardhmen”, theksoi Çerkini.

Në Kosovë edhe pas 18 viteve të përfundimit të luftës, ende mbesin edhe mbi 1600 persona të pagjetur, të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. /kp