Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e 8-të Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila iu kushtua rolit të Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në Kosovë.
Mustafa vlerësoi lartë punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe rëndësinë e auditimit të pasqyrave financiare të institucioneve të vendit.
Kryeministri shprehu po ashtu përkrahjen e Qeverisë për institucionin e Auditorit të Përgjithshëm duke theksuar angazhimin që të respektohen në rend të parë të gjitha rekomandimet e tij.
Ai foli edhe për procesin e reformës së menaxhimit të financave publike dhe për aplikimin e platformës së prokurimit elektronik.
“Përmes kësaj do t’iu ndihmojmë edhe juve, do t’i ndihmojmë rritjes së transparencës, do të minimizojmë gabimet gjatë procesit të planifikimit dhe implementimit të kontratave të prokurimit, sidomos të nënvizoj, atyre që kanë të bëjnë me implementimin e këtyre kontratave”, tha kryeministri.
Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm, ka falënderuar të pranishmit për kontributin dhe zotimin për të punuar në partneritet me Zyrën Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm.
“Ky është një mekanizëm tradicional që Zyrës së Auditorit i shërben për të vlerësuar sezonin dhe për të nxjerrë konkludime të rëndësishme për aktivitetin e periudhës pasuese. Ne, edhe këtë vit duam t’i ndajmë sfidat tona me partnerët tanë, me Kuvendin, Qeverinë, shoqërinë civile dhe me mediat”, tha Osmani.
Të pranishmit në këtë konferencë i ka përshëndetur edhe Dardan Kryeziu, përfaqësuesi i rrjetit të organizatave të shoqërisë civile, Civikos, i cili ka shprehur përkushtimin për të avancuar bashkëpunimin mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike./Express.