Kryeministri Isa Mustafa, ka marrë pjesë në Sesionin Shkencor kushtuar 30 vjetorit të Revistës “Dituria Islame”, ku ka thënë se kjo revistë ka dhënë kontribut të çmuar në promovimin e vlerave të Kosovës.
Sipas një kumtese të Qeverisë, Mustafa e ka quajtur përvjetor të rëndësishëm jo vetëm për komunitetin islam, por për Kosovën, duke e cilësuar atë një Revistë e cila ka lënë gjurmë të thella në etikën fetare edhe kombëtare të Kosovës.
“Në kohë shumë të vështira, ashtu siç u tha edhe këtu, Revista “Dituria Islame” ka përmbushur një mision tepër të rëndësishëm ndaj popullsisë në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, duke qenë në shërbim të informimit, edukimit dhe të orientimit të tyre”, ka thënë Mustafa.
Më tutje, kryeministri Mustafa, ka uruar që kjo konferencë shkencore të japë kontribut në thellimin e dijeve islame, por edhe të dijeve të përgjithshme të cilat ndihmojnë në ndriçimin e vlera të përbashkëta të njerëzimit dhe në krijimin e një ambienti në të cilin do të pasqyrohen, do të reflektohen dhe do të kultivohen vlerat njerëzore dhe vlerat fetare të Kosovës.