Aktuale

Mustafa i reagon AAK’së: Jeni bërë si rriqrat e Malishevës

Me rriqrat e Malishevës i ka krahasuar deklaratat e AAK-së, kryeministri Isa Mustafa. Shefi i qeverisë së Kosovës në një status në Facebook ka thënë se deklaratat e tyre janë duke e demaskuar petkun e qendrës së djathtë me të cilin tentojnë ti mashtrojnë perëndimoret.

“Deklaratat/komunikatat e AAK-së po më përngjajnë në rriqrat e Malishevës. Nuk i do, as me i parë e lere më me i komentuar, por të kapen për trupi”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Fjalori dhe logjika ekstreme e majtë ua demaskon petkun e qendrës së djathtë me të cilin tentojnë ti mashtrojnë perëndimoret”, ka shtuar më tej ai.

Kujtojmë se Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas seancës së sotme, ku do të duhej të diskutohej për projektligjin e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, por që në momente të fundit u tërhoq nga Qeveria e Kosovës, ka dërguar një reagim për media.

Në këto reagime AAK ka thënë po ashtu se  “kryeministri i jugosllavizuar, nuk pati guxim ta sjellë projektligjin pa miratimin e Vuçiqit”.

“Muajve, javëve e ditëve të fundit jemi përballë me një kryeministër e një president që, me veprimet e tyre e kanë cenuar konstitucionalizmin (edhe ashtu të brishtë) dhe Kosovës ia kanë zbehur karakterin kontraktualist të shtetit, duke mos e respektuar kushtetutën, e cila në raport me popullin është një Kontratë e Madhe (si në çdo vend demokratik), dhe padyshim është substanca prej nga rrjedhin të gjitha llojet e ligjeve mbi të cilat është superiore”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Sipas deputetëve të AAK-së, presidenti e kryeministri në tërë këto ditë janë sjellë me abuzim, si monarkët, aristokratët apo si dikush që gëzon privilegje të veçanta shoqërore, e jo si ata që janë 100 për qind në shërbim të vendit, ashtu siç betimin e kanë dhënë.

AAK, në fund të reagimit, thotë se dëshiron t’i bëjë me dije Qeverisë që të mos e rimarrin guximin, e ta sjellin prapë të njëjtin version të projektligjit, sepse kështu nuk do të normalizohet Kosova.