Aktuale

Mustafa: Rangimi i radhës në indeksin e BB-së mund të jetë më pozitiv

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nëse institucionet e përfshira në adresimin e 10 indikatorëve të Bankës Botërore do të punojnë me përkushtim, gjasat janë që rangimi i radhës në indeksin e Bankës Botërore të jetë shumë më pozitiv.

Ai këtë vlerësim e bëri në një shkrim të publikuar në rrjetin social Facebook, ku njoftoi se sot u lansua cikli i ri i reformave që do të ndërmerren nga institucionet e Republikës së Kosovës në nivelin qendror dhe atë lokal, raporton KosovaPress.

Shkrimi i plotë i Mustafës:

Sot u lansua cikli i ri i reformave që do të ndërmerren nga institucionet e Republikës së Kosovës në nivelin qendror dhe atë lokal, lidhur me përmirësimin e indikatorëve të Bankës Botërore për të bërit biznes. Kam kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse, që të angazhohen maksimalisht dhe me seriozitet të lartë që gjatë këtij cikli reformash të adresojnë shumë çështje konkrete të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mëtejmë të indikatorëve të Raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes. Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si koordinatore e Task Forcës u njoftova se janë bërë përgatitjet e duhura në mënyrë që ky cikël reformash të sjellë ndryshime pozitive në favor të bizneseve duke krijuar parakushte për shtim të aktivitetit ekonomik nga kompanitë vendore si dhe rritje të fluksit të investimeve të huaja direkte. Në takim u konstatua se nëse të gjitha institucionet e përfshira në adresimin e 10 indikatorëve të Bankës Botërore do të punojnë me përkushtim, gjasat janë që rangimi i radhës në indeksin e Bankës Botërore të jetë shumë më pozitiv. Një rol të rëndësishëm në këtë proces të reformave po luan edhe projekti i USAD-it “Partneritet për Zhvillim” të cilët kam kënaqësitë t’i falënderoj për mbështetjen e tyre të pakursyer.