Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se nuk e konsideron ultimatum kërkesën e kreut të AKR-së për formimin e institucioneve dhe se pret nga Behgjet Pacolli që t’i përmbahet marrëveshjes të cilën e kanë për koalicion të përbashkët.
Ai këto komente i bëri sot pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën u caktuan emrat për kryetar të komunave nga radhët e kësaj partie për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
“Nuk shoh aty ultimatum, unë shoh shprehje të mendimit tash në këtë situatë të themi të ngathtësisë që institucionet të themelohen edhe të sjellëve që ato të prolongohen, njerëzit po gjejnë mundësi që të japin ide, propozime dhe iniciativa të ndryshme. Unë këtë e shoh si një iniciativë ose si një propozim të zotri Pacolli ose të themi si një përkushtim të tij që institucioneve duhet dhënë, por natyrisht që edhe unë thash që ne do të presim që PDK-ja dhe aleatët e saj, ashtu siç Gjykata Kushtetuese e ka saktësuar ta kryejnë detyrën e tyre dhe përgjegjësinë e tyre, të provojnë se a mund ta bëjnë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë apo jo dhe ata duhet ta pranojnë dështimin nëse nuk i kanë votat në mënyrë që të lëshojnë hapësirë, kur të lëshojnë hapësirë pastaj ne do të shohin çka do të bëjmë më tutje duke respektuar organet e LDK-së”, tha Mustafa.
Kreu i LDK-së tha se pret nga presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli që t’i përmbahet marrëveshjes, të cilën e kanë për koalicion të përbashkët. “Unë besoj se zotëri Pacolli i përmbahet marrëveshjes të cilën ne e kemi në koalicion edhe që deputetët tanë edhe partnerët e koalicionit të sillen karshi këtyre marrëveshjeve”, tha Mustafa.
Ndryshe, dje lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se në takimet që ka pasur me Isa Mustafën dhe Albin Kurtin, u ka kërkuar që brenda dhjetë ditëve duhet të merren vesh dhe nëse nuk kanë gatishmëri ta formojnë qeverinë, atëherë nuk kuptim qëndrimi i tij aty. Pacolli është shprehur se do të jetë konstruktiv dhe nuk do ta bllokojë vendin, por do të bëjë hapin e parë drejt zhbllokimit të ngërçit politik. /KosovaPress/