Aktuale

Mustafa: Presidenti Rugova themelues i shtetit dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot Presidentin Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në 72-vjetorin e lindjes.

Kryeministri Mustafa, ka bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Rugova si dhe ka vizituar Familjen Rugova.

“Me rastin e shënimit të 72 vjetorit të lindjes, përkujtojmë sot me krenari Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës dhe populli i saj shprehin respektin për jetën dhe veprën epokale të Presidentit Rugova, i cili me vizionin, vendosmërinë dhe lidershipin e tij, e udhëhoqi Kosovën drejt realizimit të synimeve shekullore për liri, pavarësi dhe demokraci.

Si themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës së qytetarëve të Kosovës, duke pasur përkrahjen e të gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Qeveria e Kosovës ashtu si të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në Kosovë, janë të përkushtuar për fuqizimin e shtetit të pavarur, për thellimin e miqësisë me SHBA-të si dhe për integrim të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, vlera shtetërore dhe parime demokratike të përfaqësuara dhe të promovuara nga Presidenti Rugova”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa, transmeton KosovaPress.