Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në 16 vjetorin e vrasjes, përkujtoi veprimtarin e shquar, Shaban Manaj, i cili u rrëmbye më 23 korrik 2000 dhe u gjet i vdekur më pas në rrethana ende të pandriçuara.
Në përkujtimin e kryeministrit Mustafa thuhet:
Sot mbushen 16 vjet nga rrëmbimi i Shaban Manajt, avokatit të shquar që dha shumë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Shaban Manaj ishte një personalitet i veçantë i lëvizjes për liri, të prirë nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, ishte veprimtar i devotshëm atdhetar, intelektual i mirëfilltë, i përkushtuar për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Me plot meritë, Shaban Manaj u dekorua me urdhrin më të lartë shtetëror, “Hero i Kosovës”, për kontributin e dhënë për Atdheun, në periudhat më të vështira.
Republika e Kosovës dhe popull i saj do t’i përkujtojnë përherë Shaban Manajn dhe tërë plejadën e burrave e grave që punuan dhe dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë.
Ndërkaq, institucionet që merren me drejtësinë në Kosovë e kanë obligim kushtetues dhe ligjor, dhe herët a vonë do të zbardhin plotësisht vrasjen mizore të Shaban Manajt dhe të gjithë personaliteteve politike e atdhetare që u vranë pas çlirimit, në rrethana ende misterioze për popullin e Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt!/Gazeta Express/