Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se samiti i Berlinit dha rezultate normale ani pse pritja ishte spektakulare. Sipas tij, kancelarja Merkel e presidenti Macron vetëm përsëriten qëndrimet e tyre tashmë të njohura rreth marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nga pritjet spektakulare, takimi i Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancelarja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi”, ka thënë Mustafa.
Sipas kreut të LDK-së, ka shtuar se për çështjen e Kosovës dhe Serbisë vendosin dy vendet respektove, e jo presidentët dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së (pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, u shpreh ai.
Ish kryeministri Mustafa i ka quajtur deklarata për konsum të brendshëm, deklaratat e presidentit Thaçi se në këtë samit do të zgjidhet problemi i liberalizimit, si dhe atë të kryeministrit Haradinaj për tarifën dhe kufijtë.
“Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashkë aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”, deklaroi Mustafa.
Mustafa ka shtuar se pa u krijuar një zë i përbashkët mes institucioneve të Kosovës, opozitës dhe pozitës, është iluzion të pritet se do të ketë marrëveshje të qëndrueshme me Serbinë.
“Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, ka theksuar kreu i LDK-së. /FaktePlus