Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar nga afër punimet në rrugën nacionale Klinë-Pejë, me ç’rast është ndalur në disa pika të kësaj rruge duke filluar nga Zahaqi, ku po ndërtohet edhe një nënkalim si dhe disa pika të tjera deri në hyrje të Pejës.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se kryeministri Mustafa është informuar për mbarëvajtjen e punëve në këtë rrugë.
Mustafa ka thënë se me realizimin e këtij projekti do të zgjerohet hyrja në qytetin e Pejës, duke u bërë në këtë mënyrë, më e përshtatshme jo vetëm për qytetarët e Pejës, por edhe për të tjerët që e vizitojnë atë.
Po ashtu, Mustafa tregoi edhe për planet për investime tjera që do të bëhen në këtë qytet, por edhe në komuna tjera, duke theksuar rëndësinë e koordinimit më të mirë mes Qeverisë dhe komunave në përfundimin e këtyre projekteve.
Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku bëri të ditur se rruga prej 8.7 kilometrave, do të përfundohet brenda dy viteve dhe është një investim prej 9.9 milionë euro./KosovaPress/